“Amerika nuk e mbështetë kërkesën e Kosovës për Anëtarësim në Këshillin e Evropës”.
Kështu të paktën thotë deputeti dhe themeluesi i Kongresit të Miqësisë Serbo-Amerikane, Vladimir Marinkoviç, i cili është takuar me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, raporton mediumi serb, Kosovo-Online.
Sipas Marinkoviç, mesazhi kryesor në takim me Escobar ka qenë se “SHBA-të nuk e mbështesin kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”.
“Përkrahja amerikane u shpreh për nismën e Ballkanit të Hapur, por edhe për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit dhe Brukselit. Duke pasur parasysh se nuk ka rrugë tjetër në procesin e dialogut përveç respektimit të asaj që është rënë dakord të cilën Prishtina e ka shmangur me vite të tëra”, ka thënë Marinkoviç.
Ndryshe një ditë pasi Kosova dorëzoi dokumentin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Departamenti i Shtetit Amerikan, në një përgjigje për VOA, edicioni në gjuhën serbe, duke komentuar aplikimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, pati theksuar faktin se Kosova është vend sovrane që ka të drejtë të vendos për prioritetin e saj në politikën e jashtme.