Instituti GAP, përmes raportit “Ligji për Buxhet 2022: Favorizimet dhe diskriminimet e komunave në investimet kapitale”, ka zbuluar që Komuna e Kamenicës e cila udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, është e para në listën e komunave që do të përfitojnë më së shumti nga projektet e reja kapitale të ministrave për vitin 2022.
Kjo komunë ka lënë mbrapa disa prej komunave që udhëhiqen nga kryetar të partive të tjera.
Me 27 euro investime për kokë banori, komuna e udhëhequr nga Kadri Rahimaj, ka lënë prapa Komunën e Vitisë, të udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me 15.65 euro për kokë banori.
Edhe Komuna e Podujevës e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi nga LVV, do të përfitojë investime në vlerë prej 14.54 euro për kokë banori.
Komunat të cilat janë të udhëhequra nga Partia Demokratike e Kosovës, do të kenë përfitimet më të mëdha në shumë, por jo në raport për kokë banori.
Ndërsa, projektet e reja të ministrive, që do të nisin këtë vit, rreth 10.3 milionë euro do të shpërndahen në 20 komuna.
Nga 10.3 milionë euro, në ndarjen e projekteve të reja të ministrive në komunat sipas subjektit politik, komunat e udhëhequra nga PDK-ja (32 për qind e popullsisë) do të përfitojnë 3.64 milionë euro.