Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i është përgjigjur Sali Berishës që sot i kërkoi që të sqaronte rolin e tij në vrasjen e Pjerin Xhuvanit vitin e kaluar në Elbasan, katër ditë përpara zgjedhjeve të 25 Prillit. Bardhi thotë se Berisha po e përdor këtë ngjarje të rëndë për interesa dhe sipas tij po mbron bandat e Elbasanit. Më tej, Bardhi thotë se “Siç po shihet çdo ditë në këtë sipërmarrje, ai ka partner kryesor Edi Ramën“.
ÇFARE THA BERISHA?
“Gazment Bardhi lufton për të shpëtuar shpirtin e tij. Unë e kuptoj luftën që bën për të shpëtuar shpirtin, por është i pa shpresë. Të zbardhë njëherë, të mos i thurë lavde SPAK-ut, se do i hapim këtë apo atë shans, por të zbardhë rolin e tij në vrasjen në Elbasan.
Askush nuk është për t’u vrarë në konceptin tim. Ne nuk kemi dënim me vdekje. Bardhi dhe Balla janë përgjegjësit direkt për atë gjakderdhje në një lagje, që mund të mos ketë pasur gjakderdhje ndonjëherë. Para se të merret me këto të jap sqarime” tha ai.
REAGIMI
PD dënon me forcë përdorimin e një ngjarje të rëndë për interesa të Sali Berishës.
Është e pafalshme të shohësh se si Sali Berisha mbron bandat e Elbasanit edhe pse ai tashmë është peng i tyre, sepse i përdori kundër demokratëve në tentativën e tij për të marrë peng PD.
Për hallin e tij, Sali Berisha bëri koalicion edhe me Aqif Rakipin, Tom Doshin dhe Vangjush Dakon. Këtë e dinë gjithë demokratët dhe gjithë qytetarët e Shkodrës, Elbasanit dhe Durrësit.
Për hallin e tij, Sali Berisha kërkon të shkatërrojë PD-në dhe ta izolojë atë nga çdo partner ndërkombëtar.
Siç po shihet çdo ditë në këtë sipërmarrje, ai ka partner kryesor Edi Ramën.
Mjafton të shikoni sot vendimin e Komisionit të Ligjeve, për të kuptuar se si Edi Rama është aleati i Sali Berishës.
Ata kanë halle të përbashkëta dhe për hallet e tyre duan të bëjnë kurban PD-në.