Bota ndjek më vëmendje kur vrasjet në masë me armë, si ajo në Uvalde të Teksasit, marrin jetë të pafajshme në Shtetet e Bashkuara. Më pak i dukshëm është niveli në rritje i vdekjeve të përditshme nga armët i fëmijëve nën 14 vjeç. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas, studiuesit thonë se armët e zjarrit janë shkaku kryesor i vdekjeve të fëmijëve amerikanë.
“Nipi im u godit dy herë. Njëherë në kraharor nga afër, dhe një herë në kokë në formë ekzekutimi”, thotë gjyshja e një adoleshenti të vrarë me armë.
Ai ishte 15-vjeçari Malachi Jackson, i vrarë në Uashington muajin e kaluar. Gjyshja e tij thotë se është kapur një i dyshuar dhe se po bëhet një hetim penal.
“Filloi me dy fëmijë që po ziheshin. Po shkëmbenin fjalë. Në Uashington, këta fëmijë kanë armë, ashtu siç kanë akullore. Nuk duhet të jetë kaq e lehtë, që një fëmijë të marrë armë”, thotë gjyshja, e cila mbajti maskë për sigurinë e saj gjatë intervistës në kamera.
Jackson-i është një nga 500 adoleshentët e vrarë këtë vit me armë zjarri, sipas organizatës Arkivi i Dhunës me Armë, e cila regjistron vdekjet nga armët bazuar në të dhënat e bëra publike. Disa nga këto vdekje janë vrasje, të tjerat janë aksidentale.
“Për adoleshentët 12 vjeç, apo mbi 10 vjeç, është aktiviteti i bandave dhe shumë gjëra të tjera. Fëmijët nën 10 vjeç vdesin nga arma pasi kanë gjetur armën e babait, që nuk është ruajtur siç duhet. Ata luajnë me armët dhe nuk e kuptojnë se dëmi prej tyre është fatal”, thotë Mark Bryant, president ekzekutiv i organizatës “Arkivi i Dhunës me Armë”.
Vrasjet masive me armë këtë muaj në Uvalde të Teksasit dhe në Buffalo të Nju Jorkut, kanë tronditur botën. Por dhuna e përditshme, si vrasja e Jackson-it, janë një epidemi, thonë studiuesit.
Vdekjet nga armët në radhët e të rinjve u rritën me gati 30% në vitin 2020.
Dhuna me armë vret më shumë fëmijë se aksidentet me makina, mbidozat nga droga dhe madje edhe kanceri, thonë studiuesit e Universitetit të Miçiganit.
“Ndonjëherë është qasja tek armët që nuk janë të tyret, dhe ndonjëherë është ngacmimi, që u bëjnë në shkollë. Gati 60% e vdekjeve me armë janë realisht vetëvrasje, dhe shumica e tyre ndodhin në zonat rurale”, thotë Marc Zimmerman, profesor në Institutin për Parandalimin e Lëndimeve me Armë, në Universitetin e Miçiganit.
Ndërsa vazhdon pandemia e COVID-19ës, ekspertët thonë se është e lehtë të shihet se çfarë po i rrit statistikat – çrregullime emocionale si ankthi dhe depresioni në rritje, apo qasja e lehtë tek armët në shumë shtete amerikane.
“Çrregullimet e shkaktuara nga ankthi, është diagnoza më e pranishme. Në veçanti kur kombinohet me përdorim substancash, shohim sjellje vetëshkatërrimtare dhe shkatërrimi të të tjerëve në një nivel të paparë”, thotë psikologu Gregory Jantz.
Gjyshja e Malachi Jackson-it dhe familja janë ende në zi dhe duan që politikanët t’i mbajnë armët larg duarve të fëmijëve.
“Ka vdekje në rrugët tona çdo ditë, dy-tre fëmijë në ditë! Jemi të zemëruar, të hidhëruar, të brengosur. Na nevojiten ligje më të forta!”, thotë gjyshja e Jackson-it.
Shoqata Kombëtare e Armëve, e cila prej vitesh nxiti liberalizimin e ligjeve për armët, nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për intervistë.
Konventa vjetore e kësaj shoqate fillon të premten në Hjuston të Teksasit, vetëm pak ditë pasi një 18-vjeçar me armë zjarri vrau 19 fëmijë dhe dy mësues në shkollën fillore Robb./ VOA