Prokuroria e pranë Shkallës së Parë Tiranë, ka përfunduar hetimet për procedim penal nr.9428 të vitit 2021 me objekt hetimi publikimin në rrjetet sociale në datë 22.12.2021, nëpërmjet aplikacionit “WhatsApp”, të listës së pagave të muajit Janar të vitit 2021 të punonjësve në institucionet shtetërore dhe private.
Një database publikoi pagat dhe të dhënat personale për më shumë se 637 mijë qytetarë shqiptarë.
Këto të dhëna janë shpërndarë fillimisht nëpërmjet aplikacionit “WhatsApp” dhe më pas janë publikuar në media. Të dhënat janë lehtësisht të aksesueshme nga çdo shtetas.
Njoftim
Në përfundim të hetimeve Prokuroria ka dërguar çështjen për gjykim në ngarkim të të pandehurve:
Eni Qirjako
E akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248 e 25 i K. Penal.
Andi Agaraj
I akuzuar për veprën penale të“Shpërdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248 e 25 i K. Penal, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i K. Penal.
Klodian Sota
I akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsionit aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion pasiv në sektorin privat” parashikuar nga nenet 164/b e 244 i K. Penal.
Endri Ikonomi
I akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në sektorin privat” parashikuarnganeni 164/a iK.penal.
Ndërtimi i ngjarjes
Gjatë muajit dhjetor një rrjedhje masive e të dhënave personale dhe të pagave të mbi 900 mijë tatimpaguesve në Shqipëri qarkulloi në median sociale. Konkretisht muaji janar dhe prill 2021.
Konkretisht më 22 dhjetor u publikuan pagat e të gjithë punonjësve të sektorit publik dhe privat të muajit janar 2021.
Ndërsa një ditë më pas më 23 dhjetor ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po jepte shpjegime mbi rrjedhjen e të dhënave, u publikua lista e pagave të muajit prill 2021, për të njëjtën kategori.
Ndërsa i pari qarkulloi në rrjetin Whatsapp si dokument, i dyti ka qarkulluar nëpërmjet një linku në rrjetin e shpërndarjes WeTransfer.
Te publikimi i dytë u vërejt fakti se ishin edhe numrat e telefonave të qytetarëve. Ata ishin të vendosur në një faqe më vete, së bashku me datëlindjet dhe vendlindjen e tyre.
Përveç tyre rrjedhja vijoi edhe me targat e çdo shtetasi shqiptar, marka e automjetit, modeli i tyre dhe ngjyra. Numri i të dhënave të publikuara, shkoi në mbi 530 mijë.
Prokuroria e Tiranës nisi hetimet më 22 dhjetor. Asokohe edhe Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale reagoi në lidhje me këtë rrjedhje masive.
“Çdo veprim që mund të duket si një ‘lojë’, në përfundim do të rezultonte si shkelje e ligjit, pasi kemi të bëjmë me një përpunim të paligjshëm të të dhënave personale të shtetasve”, shkruhej në reagimin e Komisionerit.
Hetimet e Porkurorisë së Tiranës
Më 23 dhjetor Prokuroria e Tiranës sekuestroi serverin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Infromacionit (AKSHI).
Një muaj më pas, konkretisht më 7 janar të këtij viti kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj, tashmë e shkarkuar për shkak të procesit të Vetting-ut –bëri me dije se ishin arrestuar katër persona si të dyshuar përgjegjës për rrjedhjen e informacioneve.
Bëhej fjalë për specialisten e AKSHI-t, Eni Qirjako, e cila ka pasur qasje në këto të dhëna. Kjo e fundit ia kishte dërguar mikut të saj, Andi Agaraj, përmes kanalit WeTransfer.
Qirjako dhe Agaraj akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim.
Dy të arrestuarit e tjerë ishin punonjës të subjekteve private, në fushën e përmbarimit, Klodian Sota dhe Endri Ikonomi.
Këta dy të fundit i blinin dorazi të dhënat nga dy punonjësit e instituticioneve publike për 20 deri në 30 mijë lekë për secilin transferim.
I menjëhershëm ishte reagimi nga Dhoma e Përmbarimit, ku ata bënë me dije se në fakt Sota dhe Ikonomi ishin “mashtrues”.