Një operacion i finalizuar mëngjesin e sotëm nga policia italiane në provincat e Parmës, Arezzo, Grosseto dhe Romë ka çuar në shkatërrimin e një grupi kriminal që merrej me trafikun e drogës.
Në pranga janë vënë 8 persona, prej të cilëve 7 dyshohet se janë shqiptarë. Sipas mediave italiane ata janë protagonistë kryesorë në rrjetin e trafikut të lëndëve narkotike.
Nga hetimet e nisura që prej vitit 2018, karabinierët e Fidenzës kanë mbledhur prova të mjaftueshme për të goditur grupin kriminal.
Prokurori që drejtonte hetimet ka lëshuar një urdhër sekuestrimi për një shumë parash prej 400 mijë eurosh që dispononin personat e arrestuar.
Dyshimet e para janë se paratë e fituara nga trafiku i drogës, anëtarët e bandës i pastronin duke i investuar kryesisht në Shqipëri në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Një nga personat e arrestuar është i riu shqiptar i cili pak ditë më parë u qëllua me armë zjarri në këmbë në një rrugë pranë zonës ku ai jetonte.