Kryetari i grupit të PD-së Enkelejd Alibeaj në një deklaratë të shkurtër në Facebook sqaron qëndrimin e partisë lidhur me debatin për emrin e Simon Mirakës, kandidat për anëtar të Autoritetit të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Ai thotë se nuk e kundërshtuan emrin e Mirakës, por theksuan faktin se ishte propozim i Sali Berishës, që u votua nga socialistët duke e cilësuar këtë një pakt.
“Reagim i Grupit Parlamentar të PD dhe një sqarim i detyruar për gënjeshtrën e prodhuar nga pakti Rama-Berisha për Autoritetin e Dosjeve. Asnjë nga deputetët e PD në Komisionin e Ligjeve nuk ka kundërshtuar kandidatin Simon Miraka, por kanë kundërshruar faktin që ai ishte propozim i Sali Berishës dhe ishte i vetmi që çuditërisht u përzgjodh me votat e Edi Ramës. Në këtë rast është vënë në dukje standarti i dyfishtë i Partisë Socialiste.
Revolta jonë ishte shprehje e faktit se me vota të deputetëve të PS u refuzuan pa asnjë shkak përfaqësues të denjë të të përndjekurve politik Marçel Hila, Skënder Vrioni, Gjergj Marku dhe Besim Ndregjoni, të cilët ishin propozuar nga shoqatat e të përndjekurve politik dhe që u votuan nga deputetët e PD në Komisionin e Ligjeve” deklaron grupi i Enkelejd Alibeajt.
Por Taulant Balla i kërkoi zotit Miraka që të heqë emrin e Sali Berishës si propozues dhe vetëm atëherë do të votohet në Kuvend emri i tij në të kundërt do të rrëzohet.