-sidi education-spot_img
-1.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Tradhtia e Macronit ndaj Ballkanit

Kryesoret

Nga Enver Robelli

Në fund të vitit 2019 Christopher Hill, tani ambasador i SHBA-së në Beograd, e akuzonte presidentin francez Emmanuel Macron për hiç më pak se tradhti ndaj Ballkanit. Në vitin 2022 kjo akuzë e diplomatit Hill është edhe më e vërtetë. Franca e ka marrë rolin e bllokuesit të zgjerimit të BE-së dhe të liberalizimit të vizave për kosovarët. Kësisoj Parisi po ndikon në destabilizimin e rajonit.

Në takimin e Këshillit Europian më 17 dhe 18 tetor 2019 presidenti francez Emmanuel Macron mori një vendim me pasoja të mëdha: bllokoi fillimin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Dëshpërimi qe i madh sidomos në Tiranë dhe në Shkup, ndërsa në vendet e tjera të Ballkanit, në Kosovë, për shembull, shumëkush pyeti veten nëse vërtet do të ketë perspektivë europiane, pra hyrje në BE, për vendet e Ballkanit.

Christopher Hill, atëbotë profesor në Universitetin e Denverit (SHBA), shkroi një koment në të cilin e quajti sjelljen e Macronit pak a shumë si tradhti ndaj Ballkanit. Në vitin 2022 Hill është ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi dhe akuza e tij ndaj Macronit është edhe më e vërtetë se më 2019.

Macron arsyetohet se BE së pari duhet të reformohet, pastaj, eventualisht, të pranojë anëtare të reja. Në Ballkan është krijuar përshtypja se arsyetimet e Macronit nuk janë bindëse dhe përdoren vetëm për ta pamundësuar integrimin e vendeve të Ballkanit në BE.

Vitin e ardhshëm do të bëhen 20 vjet prej se BE në Samitin e Selanikut i premtoi rajonit një perspektivë europiane. Që nga atëherë vetëm Kroacia është pranuar në BE, shtetet e tjera ngushëllohen me lloj-lloj fjalësh dhe projektesh, siç është, ta zëmë, “Procesi i Berlini”, i cili, përkundër disa ideve të mira, në thelb është vetëm një mekanizëm për bllokimin e debateve mbi çështjen qenësore: a ka apo jo vend për shtetet e Ballkanit në BE? Përgjigjja e sinqertë nga Brukseli dhe kryeqytetet e rëndësishme mungon, por veprimet lënë të kuptohet qartë se perspektivë europiane nuk ka, së paku jo në periudhën afatmesme.

Agresioni rus kundër Ukrainës dhe pastaj kërkesa e Ukrainës për anëtarësim në BE, kanë ngjallur sërish debatet mbi zgjerimin e BE-së. Po të mos kishte ndodhur agresioni rus, kërkesa e Ukrainës do të refuzohej menjëherë. Fundja, Ukraina, jo pa të drejtë, është parë si shtet që ka probleme të mëdha me korrupsionin, ndonëse për arsye strategjike qytetarëve të këtij vendi (45 milionë banorë) i janë hequr vizat para disa viteve. Për 1,8 milionë kosovarë ende nuk ka liberalizim të vizave, sepse këtë e bllokon Franca, më saktë Emmanuel Macroni. Ndonëse, sipas BE-së, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet.

Kërkesa e Ukrainës për hyrje në BE është pritur me rezerva të kujdesshme. Emmanuel Macron i është kthyer një ideje të presidentit François Mitterrand, i cili më 1989 propozoi themelimin e një Konfederate Europiane, pjesë e së cilës do të ishte edhe Rusia. Projekti dështoi për shkak të kundërshtimeve nga vendet e Europës Lindore, të cilat sapo kishin ikur nga ndikimi mbytës sovjetik. Shtetet e Europës Lindore e panë manovrën e François Mitterrandit si përpjekje për të penguar hyrjen e tyre në BE.

François Mitterrandin dhe Emmanuel Macronin i bashkon një frikë: me pranimin e sa më shumë shteteve të Europës Lindore rrezikohet roli dominues i Francës në Europën e organizuar me institucione. 33 vite pas idesë së Miterrandit, Macron sërish ka propozuar themelimin e një unioni politik europian, një lloj konfederate, ku do të pranoheshin ato shtete të cilat nuk pranohen në BE, pra Ukraina, Moldavia dhe shtetet e Ballkanit. Ukraina e ka hedhur poshtë idenë e Macronit, ndërsa në Ballkan mbretëron kryesisht heshtje.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit