Dietmar Köster, eurodeputet socialdemokrat gjerman nga partia e kancelarit Scholz ka dhënë një parashikim optimist për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. Sipas Köster, me nisjen urgjente të negociatave në muajin Qershor do të duhen pesë ose gjashtë vite deri tek anëtarësimi i plotë.
“Nga këndvështrimi im duhet të fillojnë urgjentisht negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne mund të bëjmë përparim të mirë atje në pesë ose gjashtë vitet në vijim për anëtarësimin e plotë të tyre në BE nëse asgjë nuk ndryshon ndjeshëm atje”.
Pas vizitës në Sarajevë, Koster vuri në dukje ndikimin rus në këtë rajon.
“Ne e dimë se Rusia po përpiqet të ndikojë në Ballkanin Perëndimor. Këtë e shohim në Bosnje-Hercegovinë, në Serbi. Rusia po përpiqet të destabilizojë këto rajone dhe e sheh këtë si një portë për destabilizimin e BE-së” tha ai.