Bashkimi Evropian po i ndjen qartë pasojat e luftës në Iran. Sipas Komisionit Evropian që nga fillimi i konfliktit kostot për importin e lëndëve djegëse fosile janë rritur me rrethh 24 miliardë euro. Si pasojë disa shtete anëtare kanë ndërmarrë tashmë masa për të lehtësuar barrën për konsumatorët dhe bizneset.
Deri më sot secili shtet ka vepruar më vete, por Komisioni Evropian synon tani ta koordinojë më mirë këtë proces dhe ka propozuar një sërë masash, me të cilat shtetet anëtare mund të përballojnë rritjen e çmimeve të naftës dhe gazit.
Përveç kësaj, Komisioni Evropian rekomandon lehtësime tatimore për instalimin e pompave për ngrohje dhe të paneleve diellore, si dhe për blerjen e makinave elektrike.
Sipas dokumentit Brukseli synon gjithashtu të lehtësojë koordinimin mes shteteve anëtare, për shembull për mbushjen e depozitave të gazit, vënien në dispozicion të rezervave të naftës dhe miratimin e masave kombëtare emergjente.
Mbikëqyrje e rezervave të karburanteve
Përveç kësaj, Komisioni Evropian planifikon krijimin e një qendre, e cila do të mbikëqyrë furnizimin dhe rezervat e karburanteve në 27 vendet e BE-së. Konkretisht Komisioni propozon, ndër të tjera, koordinimin e mbushjes së depozitave të gazit në shtetet anëtare, në mënyrë që të shmangen rritjet e menjëhershme të çmimeve si pasojë e blerjeve të mëdha të njëkohshme. Po ashtu synohet optimizimi i shpërndarjes së kerozinës mes vendeve të BE-së për të parandaluar mungesat në trafikun ajror./ DW









