Konferenca e Kryetarëve rrëzoi kërkesën e një grupi të PD-së për të ngritur një komision hetimor për të kaluar në filtër investimet me pretendimin strategjike që ka miratuar qeveria e Edi Ramës. Por kërkesa është rrëzuar për herë të dytë nga shumica socialiste.
Ishte vetë Enkelejd Alibeaj që e njoftoi vendimin në përfundim të mbledhjes. “Ngritjen e komisionit hetimor, që është nga instrumentet më të rëndësishëm të opozitës. Ne ridepozituam kërkesën, tashmë jo me 35, por me 37 firma.
Në mënyrën më antikushtetuese, antiligjore, nga ana e anëtarëve të mazhorancës në konferencë rrëzohet kjo kërkesë. Rregulli, Kushtetuta, e do që instanca e fundit që shprehet për ngritjen e një komisioni hetimor është seanca, por as këtë nuk e lejuan.
Kjo çështje demaskoi qëndrimin e mazhorancës. Investimet strategjike, familjare strategjike në kurriz të pasurive publike, duket se është një skandal i madh, ndaj i largohen si djalli nga temjani” tha ai për mediat.
Por si e justifikon Balla rrëzimin e komisionit? “Nuk mund të marrësh një kërkesë të rrëzuar dhe ta sjellësh prapë me një numër të ri protokolli. Firma e një deputeti dhe zyrtari vlen vetëm për një dhe jo ta marrë nga një ta çosh te një tjetër” tha ai.
Më tej, kryetari i grupit të PD-së nuk pranoi që të bënte asnjë deklaratë duke shmangur pyetjen nëse të shtunën do të jenë në kuvend kur PS të zgjedhë kreun e ri të shtetit.
Presidenti i ri? “Prisni njëherë. T’ja themi njëherë kryesisë (të premten) pastaj juve” u tha Balla gazetarëve.