Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e 50 mijë eurove për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky vendim u mor pas kërkesë së Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
“Me qëllim të përkrahjes së kauzës politike të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe në bazë të kërkesës së parashtruar propozohet të ndahet mjetet në vlerë prej 50 mijë euro në mbështetje të aktiviteteve lobuese të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesve shqiptarë atje. Mjetet propozohen të ndahen nga mjetet e buxhetuara te Zyra e Kryeministrit në programin ‘Përkrahje për Luginën e Preshevës'”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Në prill të 2020-ës, kur situata me COVID-19 sapo kishte shpërthyer në Kosovë dhe në rajon, Qeveria ndau 500 mijë euro për tri komunat e Luginës, Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin. Ndërsa në shtator të po të atij viti, Qeveria që drejtohej nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, themeloi “Zyrën për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës”.
Ndihma e Kosovës, vjen pasi Lugina e Preshevës mbeti pa përfaqësues shqiptar në Parlamentin e Serbisë. Shaip Kamberi, kryetari i koalicionit të Shqiptarëve të Luginës nuk arriti të fitojë mandatin e deputetit për një numër shumë të vogël votash. /REL