“Mbase edhe mund t’i vizitojë, por po tregojë çka është e rëndësishme të bëjë unë, e që është komunikimi me avokatët mbrojtës”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë kur u pyet se pritet që t’i vizitojë katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Kryeministri u shpreh se ka konsideruar që “më e rëndësishme” sa i përket fazës në të cilën po kalohet me gjykatën speciale dhe aspektit të transparencës “që nuk është për ta lëvduar”, është që “të kontaktojmë dhe diskutojmë me avoktatët e luftëtarëve tanë që janë në Hagë”.
“Avokati prioritet e ka klientin e vet individualisht, por është Kosova dhe unë si kryeministër që e kuptojmë se do të bëhet mirë për të gjithë ata që po mbahen atëherë kur të bëhet mirë për të gjithë ata individualisht”, është shprehur Kurti.