Qeveria e Kosovës do të mbajë mbledhjen e radhës këtë të mërkure të 1 qershorit në ora 11:00 dhe si pikë e rendit të ditës është shqyrtimi i draft-konceptit për themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës.
Ndryshe, kjo është mbledhja e parë e Qeverisë pas një vizite mbi 20 ditore që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pas edhe në Zvicër.
Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, vizitat e tij jashtë shtetit i ka konsideruar si “mjaft të frytshme”.
“Vizitën time mjaft të frytshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përmbylla në New York, pas tri ditë takimesh të ndryshme në Massachusetss, Connecticut, Rhode Island”.
Kurti gjatë këtyre takimeve thekson se ka cekur edhe të arriturat e ekzekutivit.
“Fola për të arriturat e qeverisë sonë dhe për dy qëllimet kryesore të vizitës sime në shtetin mik dhe aleatin tonë më të rëndësishëm: nxitjen e interesimit për investime në Kosovë dhe avancimin e bashkëpunimit me qeverinë amerikane në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri në SHBA nuk ka takuar asnjë personaliteti nga Departamenti i Shtetit Amerikan.
Takimi më i rëndësishëm për nga aspekti politik ishte ai që Kurti e quajti “të frytshëm” me Jake Sullivan, këshilltar i Sigurisë Kombëtare.