Policia e Sarandës ka shpallur në kërkim dy biznesmenë, në kuadër të operacionit të djeshëm të Prokurorisë për tjetërsimin e një toke 10 mijë metra katrorë, ku u arrestuan disa zyrtarë.
Dyshohet se ata kanë kryer tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 10 mijë metra katror tokë, e cila më parë shërbente si lulishte, duke e ndarë tek persona të tjerë, të cilët më pas kanë ndërtuar.
Drejtori i Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës, Pandi Zhonga, juristja e Agjencisë Shtetërore e Kadastrës, Rovena Alikaj, noteri Aleko Anagnosti dhe 3 persona të tjerë janë janë personat që u arrestuan ditën e dijshme.
Në kërkim janë shpallur biznesmenët Behar dhe Bedri Muçobega, si të përfshirë në skemën korruptive të tjetërsimit të kësaj prone, ndërsa akuzohen për “Falsifikim dokumentesh” dhe “”Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Njoftimi i policisë:
Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë ekzekutuan urdhrin e ndalimit të datës 01.06.2022, dhënë nga prokurorët e Rrethit Gjyqësor Sarandë, ndaj shtetasve A. A., 54 vjeç, P. Zh., 40 vjeç dhe R. A., 33 vjeçe, banues në Sarandë, pasi këta shtetas akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, si dhe ekzekutuan urdhrin e ndalimit ndaj shtetasve V. Ll., 54 vjeç, F. M., 61 vjeç, dhe A. C., 57 vjeçe, banues në Sarandë, pasi në ngarkim të këtyre shtetasve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë ka ngritur akuzë për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Gjithashtu në bazë të urdhrave të ndalimit, po nga oficerët e Policisë Gjyqësore u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve B. M., 40 vjeç, banues në Sarandë, pasi akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, dhe B. M., 50 vjeç, banues në Sarandë, pasi akuzohet se ka kryer veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.