Kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj deklaroi sot se nesër do të bojkotojë seancën në orën 18:00 për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit në raundin e katërt, ku duhen 71 vota.
Ai tha se kushdo që të zgjidhet nesër, do të jetë sipas tij një zgjatim i Edi Ramës me “votat e non grata”-s”.
“Qytetari i parë duhet të ishte simbol dhe uniteti i popullit. Duke respektuar morale dhe kushtetuese ne u futëm në këtë proces hapur dhe pa u fshehur, si duhet të ishte procesi, që produkti të jepte garanci për ushtrimin në mënyrë normale.
E mbani mend, kur Rama thoshte që dua një president konsensual. Ky është një proces defektoz në thelb.
Nesër nuk ka asnjë sens që PD të marrë pjesë në votim, vetëm do legjitimonte kapjen e një tjetër institucioni nga Rama.
Bojkot do të ishte nëse nuk merrnim pjesë në proces. Ne nesër nuk do të marrim pjesë në Kuvend” tha ai.
Por a është kjo një lëvizje për shkak të frikës nga rrjedhja e votave? Kësaj pyetje Enkelejd Alibeaj nuk iu përgjigj.
Grupi i Sali Berishës do të jetë në kuvend. Ish-kryeministri deklaroi sot se nesër do të jenë në kuvend, pasi janë kundër bojkotit.