Ish-deputeti Myslym Murrizi, anëtar i këshillit kombëtar të PD-së ishte i ashpër me Sali Berishën duke i kërkuar që të hapë partinë për personalitete dhe të mos lejojë që vetëm grupi i “Foltores” të kandidojë për cdo post brenda partisë.
“Nëse jemi në dëlir dhe mendojmë se 6 marsi na solli në pushtet, mendoj se nuk e kemi kaluar lumin. Ne sot jemi në fushatë. Për çfarë janë të mirë këta? Për krushq? Për miq? Pse këta që votuan në kryesi kandidojnë edhe në sekretariate?
Më thonë se gjithë Kryesia e Lulit është aty. Jo gjithmonë perceptimi i njerëzve është i drejtë. Duhet të shikojmë si votoi këshilli kombëtar. Si ka mundësi që Bardh Spahia, “diamanti” i 6 marsit nuk u votoka në kryesi. Ka njerëz që zunë një cep aty, dhe kandidojnë për të tjera. Hapni partinë për personalitete.
Cfarë është kjo grykësi me çuar mesazhe në WhatsApp,aman ma ke kujdes këtë apo atë? Por për cfarë e ta kem kujdes? Cfarë përfaqësojnë këta njerëz që nuk i voton as familja e vet, nuk kanë vota as sa një kryeplak” tha ai.
Gjithashtu Osman Mula ishte i ashpër duke kërkuar fillimin e punës për zgjedhjet lokale. “Po mirë cfarë jemi ne? Kush i zgjedh këta njerëz, që pasi na rropën na dalin kundër. Është e vërtetë se ne partia e djathtë jemi pjesa më e varfër dhe e majta super e pasur. Asnjëri prej nesh nuk e vendosim firmën në borderonë e shtetit.
Ne nuk duhet të afrojmë njerëz me zor se na lënë në baltë, por të mbështetemi te djathta. Të ngremë një Senat, një dhomë të të urtëve që krijojnë filtra dhe flasin me anëtarët larg inateve dhe thashethemeve. Duhet të fillojë puna, mjaft me të qara dhe pseudo-heronj” tha ai.