Kandidati i PS-së për President, Bajram Begaj, aktualisht shef i shtabit të përgjithshëm të FA-së shprehet se nëse do të zgjidhet në krye të shtetit, busulla e tij do të jetë atdheu.
Ai thotë se emocionin që ndjen nuk e përshkruan dot me fjalë për vlerësimin që i është bërë.
“Ishte sa e papritur aq edhe e madhe pesha e emocionit që ndjeva, kur mora lajmin se maxhoranca parlamentare kishte vendosur të më paraqiste si kandidat në seancën e sotme për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Me mirënjohje të thellë dhe respektin më të lartë për bashkëpunëtorët, kolegët, anëtarët e familjes së madhe të Forcave të Armatosura të Republikës, kam nënshkruar kërkesën për lirimin nga detyra e lartë që kam pasur deri më sot nderin e përgjegjësisë së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
Fjalët nuk kanë qenë kurrë arma ime e më e fortë, por edhe sikur të ishin jam i bindur se do ta kisha të vështirë. t’i gjeja në këtë rast. Ky është një ndër ato raste që fjalët nuk e përshkruajnë dot.
Vetëm përkushtimi me besnikëri absolute ndaj Republikës, qytetarëve dhe Kushtetutës së saj mund ta tregojnë sadopak madhësinë e këtij nderi.
Puna ime si mjek dhe si ushtarak më ka mësuar shumë, por mbi të gjitha më ka mësuar vlerën e respektit për tjetrin dhe të dashurisë për Atdheun” shkruan ai.