Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Partia Socialiste e arriti objektivin për të zgjedhur një President normal, si Bajram Begaj. E ndërsa e cilësoi opozitën “sallatë”, ai tha se nuk ka rëndësi vota që rrodhi nga opozita për të votuar Begajn, por procesi që u kurorëzua me sukses.
“Besoj që kemi arritur objektivin që kemi pasur që në krye të herës dhe të gjitha reagimet flasin për këtë, përjashtuar ndonjë reagim pa lidhje të hapësirës politike, flas përtej kësaj. I kemi dhënë Shqipërisë një president normal.
Nuk ka rëndësi cili ka qenë përfundimi aritmetik i këtij procesi, por është kurorëzuar me një provë të prekshme, PS është këtu për Shqipërinë dhe jo për veten.
Më vjen shumë mirë që një proces aspak i lehtë me një sallatë palësh nga ana tjetër, ne kemi arritur që të t’i japim jetë një procesi që ka qenë ku të gjithë kanë pasur mundësi të kontribuojnë” tha ai.