Policia e Sarandës ka arrestuar autorin që i vendosi zjarrin zyrës së noterit Aleko Anagnosti, i arrestuar për tjetërsim pronash në Sarandë. Ai është Marjo Sinani, 41 vjec dhe ka qenë i dënuar më parë për shkatërrim prone me eksploziv.
“Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 06.06.2022, në lagjen nr.1, Sarandë, ku është djegur zyra noteriale e shtetasit A. A.
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Flames”.
Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë.
Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i zjarrvënies në zyrën noteriale. 41-vjeçari, me precedent të mëparshëm kriminal për shkatërrim të pronës me eksploziv dhe për zjarrvënie.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë, në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve të tyre para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Flames”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi:
– Marjo Sinani, 41 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, i dënuar me parë për shkatërrim të pronës me eksploziv dhe për zjarrvënie.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ai më datë 06.06.2022, ka vënë zjarr në zyrën noteriale të shtetasit Aleko Anagnostit në qytetin e Sarandës. Për pasojë janë djegur një pjesë e dokumentacionit (arkivës) që mbahej nga ai në ambientet e zyrës.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar veshmbathje dhe sasi benzine që dyshohet se janë përdorur nga 41-vjeçari, gjatë kësaj ngjarjeje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme” njofton policia.
Dosja e pronave
Anagnosti është pjesë e dosjes ku janë përfshirë 10 zyrtarë, biznesmenë dhe qytetarë për tjetërsimin e një sipërfaqe prej 10 230 m2 tokë shtetërore në bregdetin e Sarandës përmes një skeme falsifikimi duke ia dhënë dy biznesmenëve të cilët e shndërruan në truall për ndërtimin e një hoteli.
Sipërfaqja ka qenë tokë shtetërore dhe para tjetërsimit ishte lulishte. Në krye të skemës ishte ish-drejtori i Kadastrës së Sarandës, Ardian Kola në kërkim, i cili ka mbajtur detyrën në vitet 2019-2020. Në kërkim janë edhe dy vëllezërit biznemenë Behar dhe Bedri Muçobega.