Sekretari i Përgjithshëm i Partisës së Lirisë, Tedi Blushi, në një deklaratë urgjence për mediat nga selia e PL, ka publikuar disa fakte shumë të rëndësishme nga dosja e Presidentit Ilir Meta, lidhur me aferën CEZ-DIA.
Deklarata e plotë e Blushit
Në vijim të sqarimit publik se ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, ekziston ZERO fakt, ZERO provë penale dhe ZERO lidhje me aferën CEZ-DIA, sot do të publikojmë prova të reja ligjore, që jo vetëm e varrosin këtë proces farsë, kriminal dhe të motivuar politikisht kundër tij, por edhe ekspozojnë në dritë të diellit kallëzuesin e “rremë” të përdorur për këtë qëllim, Z. Romeo Kara.
Më herët faktuam, mbështetur vetëm në prova dhe dokumenta ligjore, se Z. Kara rezulton me probleme me drejtësinë, por edhe se ndaj tij ka dyshime serioze mbi shëndetin mendor.
Treguam vendimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që refuzoi t’i japë statusin e dëshmitarit të mbrojtur, pikërisht sepse dëshmitë e tij u vlerësuan indirekte dhe se nuk kishin vlerë prove.
(DOKUMENTI 1)
Ndërsa sot do të publikojmë të tjera prova ligjore që rëndojnë mbi këtë kallëzues të rremë dhe që në vlerësimin tonë janë injoruar qëllimisht nga prokurorët.
Prova e parë është dëshmia e Z. Elvis Mataj, nën betim, i cili pohon se ishte Z. Romeo Kara, ai që e kishte detyruar të jepte dëshmi të rreme.
Konkretisht, duke ju referuar tre takimeve në Vjenë me Dr. Hauser, avokatin e administratorit të DIA, Z. Kastriot Ismaliaj, Z. Mataj sqaron se ka qenë Romeo Kara që e ka bindur të “fliste” me Z. Ismailaj, pra të vijonte të jepte dëshmi të rreme.
Ja çfarë thotë ai.
(DOKUMENTI 2)
Pra siç e patë, Z. Mataj e etikon Z. Kara si nxitës të dëshmive të rreme. Tani do ju tregojmë se çfarë thotë vetë Z. Romeo Kara për këtë dëshmi të Z. Mataj.
(DOKUMENTI 3)
Pra edhe vetë Z. Kara e pohon vërtetësinë e deklaratave të Z. Mataj dhe se bisedat e tyre mes Z.Ismailaj janë regjistruar.
Tani po ju rikujtojmë se kush ka qenë thelbi i bisedave të regjistruara.
Këtë e sqaron më së miri dëshmia e Z. Kastriot Ismailaj, ku ai pohon se iu kërkua nga dyshja Mataj-Karaj një pagesë, në fillim 750 mijë euro dhe më pas 500 mijë euro.
(DOKUMENTI 4 + FOTOT E VIENËS)
Pra është e stërprovuar, mbështetur vetëm mbi fakte dhe prova ligjore se me çfarë kallëzuesi të “rremë” kemi të bëjmë.
Një kallëzus të rremë, si Z. Romeo Kara, të cilin edhe Prokuroria e Krimeve të rënda refuzoi t’i japë statusin e dëshmitarit të mbrojtur duke e thënë qartë se dëshmia e tij nuk ka vlerë.
(DOKUMENTI 1)
Por pyetja që shtrohet është, si ka mundësi që ky lloj kallëzuesi dhe kallëzimi i tij është marrë seriozisht nga SPAK, sidomos nga prokurori Arben Kraja.
Evidentojmë Z. Kraja sepse është i njëjti prokuror, që në datën 6 qershor 2016 vendosi të pushojë hetimet, pra të hedhë në koshin e plehrave, kallëzimin e bërë në tetor 2015, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucion kushtetues, në lidhje me padinë për faljen e 479 milion eurove CEZ-it nga Edi Rama.
(DOKUMENTI 6)
Z. Kraja vendosi të pushojë hetimet, pa e thirrur as edhe një herë të vetme kallëzuesin pra KLSH, për ta marrë në pyetje.
Madje KLSH e ankimoi deri në Gjykatën e Lartë këtë vendim të prokurorit Arben Kraja, i cili gjithashtu, siç mund ta shihni në këtë vendim të Gjykatës, ka kërkuar sërish rrëzimin e kërkesës së KLSH.
(DOKUMENTI 7)
Pra i njëjti prokuror, që hedh në koshin e plehrave, kallëzimin e një institucioni kushtetues si KLSH në vitin 2016 dhe që një vit më pas pranon kallëzimin e “rremë” të Romeo Karës, të cilin, mbështetur mbi fakte, vendime penale dhe dëshmi ua treguam shqiptarëve se kush është dhe për të cilin e theksoj prokuroria e krimeve të rënda refuzoi t’i japë statusin e dëshmitarit të mbrojtur.
Si mund të injorohet një institucion kushtetues si KLSH që pas auditimit të bërë, ka bërë kallëzim penal për një dëm kolosal prej 479 milionë eurosh dhe të merret “seriozisht” një kallëzues indirekt, me gjithë këto problem me drejtësinë?
Por kur të urdhëron Edi Rama nga tribuna e Asamblesë së PS për ta rrëmbyer Ilir Metën dhe të për ta izoluar politikisht, sigurisht që për prokurorët e SPAK-ut me regji ky urdhër ka më shumë vlerë se kallëzimet e institucioneve kushtetuese, më shumë vlerë se provat ligjore, faktet, dokumentat, dëshmitë.
Por ora e përballjes së fakteve dhe provave ligjore me të pavërtetat, mashtrimet, manipulimet, po afron, ndaj i ftoj të gjithë mediat, gazetarët, trupin diplomatik të jenë të pranishëm në seancën e parë, më datë 27 prill, si edhe në të gjitha seancat gjyqësore.
Në emër të Partisë së Lirisë, në emër të transparencës dhe llogaridhënies, kërkoj gjithashtu nga GJKKO, të garantojë transmetimin live për mediat, nga sekonda e parë e seancës së parë dhe deri në sekondën e fundit të seancës së fundit.
Të gjithë mediave ju duhet garantuar transmetimi live sepse transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik!









