Profesori i njohur në Universitetin Amerikan, John Hopkins, njëkohësisht analisti i politikës së jashtme, Edward P. Joseph, i cili ka shërbyer në Kosovë e Bosnje, është shprehur se ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i dha “puthjen e vdekjes” nismës së “Ballkanit të Hapur” me deklaratat e tij të një dite më parë.
“Kjo ide e administratës Trump po avancon agjendën e partnerit strategjik të Rusisë në rajon, Serbisë, nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiçit”, ka shkruar Joseph.
Ministri i Jashtëm rus u shpreh një ditë më parë se NATO dhe BE duan ta kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur “Ballkani i Mbyllur”.
Ai shtoi se liderët e Brukselit “nuk donin që ne të konfirmonim qëndrimin e Rusisë për çështjen e Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës dhe të shprehim mbështetjen për nismën e Beogradit për Ballkanin e Hapur”. Sipas gazetës beogradase “Danas”, kështu, siç interpretohet, Lavrov në të vërtetë ka pranuar se e kujt ishte ideja e Ballkanit të Hapur.
Për më tepër, Joseph vuri në dukje se media kryesore ruse në Serbi, Sputnik Serbia, mbështet vazhdimisht idenë e një Ballkani të Hapur.
“Ballkani i Hapur është një thirrje e hapur për Vuçiçin që të përdorë madhështinë ekonomike të Serbisë për përfitime politike, pa kufizime politike apo vlera të BE-së”. Ballkani i Hapur është po aq “bota serbe”, ka shkruar Joseph.
Ai shpjegoi se, duke besuar se Vuçiç donte të anëtarësohej në BE, zyrtarët amerikanë e pranuan vërtet idenë se “tregtia” është e barabartë me “besimin”.
“Ajo që duhet të merret parasysh është natyra e regjimit tregtar. “Pyesni Ukrainën: deri më 24 shkurt, Rusia ishte partneri kryesor tregtar i Kievit për importet dhe eksportet,” tha ai, duke shtuar se Japonia, Koreja e Jugut apo Tajvani gjithashtu duhet të pyeten nëse tregtia ka ndërtuar besim me Kinën.
“Është e njëjta histori në Ballkan. Serbia është partneri i parë tregtar i Malit të Zi në importe dhe eksporte dhe Beogradi renditet i fundit për sa i përket besimit. “Mbështetja e fundit e kryeministrit malazez Dritan Abazovic për Ballkanin e Hapur ka thelluar ndarjet në vend,” paralajmëroi ai.
“Çdo vend ballkanik që përballet me një kërcënim të drejtpërdrejtë nga Serbia është skeptik, nëse jo i dyshimtë, për Ballkanin e Hapur,” paralajmëroi Joseph.