Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken ka deklaruar së fundmi se Rusia po grabit eksportet e grurit të Ukrainës për t’i shitur për përfitime.
Duke folur gjatë një tryeze virtuale me filantropë, organizata joqeveritare dhe entitete të sektorit privat, Blinken tha se vjedhja e supozuar ishte pjesë e veprimeve më të gjera ruse gjatë luftës së saj në Ukrainë që kanë goditur aftësinë e Ukrainës për të eksportuar të korrat e saj dhe kanë përkeqësuar një krizë globale të sigurisë ushqimore.
“Ka raporte të besueshme, siç pamë në një nga gazetat tona kryesore, se Rusia po grabit eksportet e grurit të Ukrainës… për t’i shitur për përfitimin e saj.
Tani, Rusia po grumbullon gjithashtu eksportet e saj të ushqimit duke çuar në një rritje të mprehtë të çmimeve globale dhe mungesat e mundshme në ushqimet bazë. Lufta po ka një ndikim shkatërrues në sigurinë globale të ushqimit, sepse Ukraina është një nga shportat e bukës në botë”, tha Blinken.
Gazeta New York Times në një artikull të saj raporton se Rusia po përpiqej të dërgonte grurin e vjedhur ukrainas te blerësit jashtë shtetit. E përditshmja prestigjioze ndër të tjera shkruan se një numër anijesh mallrash janë nisur nga portet e kontrolluara nga Rusia.
Ukraina ka akuzuar Rusinë për dërgimin e grurit ukrainas në vende duke përfshirë Turqinë dhe Sirinë. Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë alarmuar 14 vende, kryesisht në Afrikë, për dërgesat, pasi shumë prej tyre varen nga importet e grurit dhe tashmë përballen me furnizime të kufizuara.
Blinken ndër tjera u shpreh se marina ruse ka bllokuar transportuesit e grurit që të largohen nga porti i Odessa në Detin e Zi, në një përpjekje për të “shantazhuar” botën për të mbështetur luftën e Moskës.
Reuters raporton se ka rreth 20 milion ton grurë që është bllokuar në kapanone afër Odessa, dhe në anije të mbushura me grurë për shkak të kësaj bllokade ruse. Blinken tha se ishte një strategji e qëllimshme e presidentit rus Vladimir Putin për të detyruar pjesën tjetër të botës “të dorëzohej ndaj tij” dhe të eliminonte sanksionet.
Më herët udhëheqësi i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko tha se Minsk ishte i gatshëm të lejonte transitin e drithit të Ukrainës në portet gjermane, polake, baltike ose ruse nëpërmjet territorit të tij, nëse në këmbim lejohej të transportonte mallra bjelloruse nga ato porte.