Edison Pula ishte një nga 3 shqiptarët që arritën të arratiseshin nga burgu i Trevisos pasi prenë hekurat e dritares.
Dy shqiptarët e tjerë u kapën shpejt nga policia italiane, ndërsa Pula, ish-anëtar i bandës së Niklës në Shqipëri, vijon të jetë në arrati. Ai ka bërë që policia italiane të angazhohet maksimalisht për të vënë atë në pranga.
Anëtari i “Bandës së Niklës”, i njohur edhe për grabitjet e vilave luksoze në zonën e Selias ia doli që të arratisej duke prerë me sharrë hekuri, hekurat e dritares së qelisë së tij të burgut, por do e ketë shumë të vështirë të dalë nga Italia.
Kjo pasi një skuadër nga ajri është angazhuar për të gjurmuar lëvizjet e tij, por edhe postblloqe në kufi do të vendosen për ta bërë ta pamundur largimin e tij nga vendi.
Këtë e ka konfirmuar për mediat italiane edhe komisari Vito Montaruli, i cili ka thënë: “Ka bashkëpunim maksimal për kërkimin e të arratisurit. Që në agim ka nisur një koordinim mes Skuadrës Ajrore dhe zyrës së hetimit të Policisë, policisë së burgjeve dhe asaj kufitare”.
Kontrolle të plota, duke mos lënë gur pa lëvizur janë duke u zhvilluar ndërkohë në zonën e Trevizos.
“Dyshimi është se po tenton të largohet nga vendi dhe kontrollet e mëdha janë përqendruar në atë anë të kufirit. Megjithatë, supozojmë se është ende në territorin kombëtar”, shtoi më tej komisioneri, duke theksuar se janë vendosur në alarm të gjitha komisariatet në verilindje dhe më gjerë.
“Përshkrimi i shqiptarit iu dërgua të gjithë policëve dhe të gjitha komisariateve. Hulumtimi do të nisë nga e kaluara e të arratisurit. Hetimet do të përpiqen të vlerësojnë përvojën e kaluar. Si kanë arritur ta kapin tashmë atë njeri që kishte gjetur strehë në strofkën e një bande të specializuar në vjedhjet e shtëpive”, nënvizoi ai.
Ndërkohë, Pula cilësohet si një person që është në gjendje t’i shmanget policisë. Ai mund të gëzojë mbështetje dhe një rrjet kontaktesh që i garantojnë atij të ndryshojë shpesh qytetin, shtëpinë dhe makinën.
Sipas mediave, të hënën e ardhshme 27-vjeçari duhej të dilte në gjykatën e Bolzanos në një gjyq që e shihte të akuzuar për rreth pesëdhjetë vjedhje.