Kina nuk ndërron pozicion rreth mos-njohjes së Kosovës dhe provizioneve të Marrëveshjes së Dejtonit për statusin e entiteti serb të Bosnje-Hercegovinës, ka thënë i ngarkuari me punë i ambasadës kineze në Beograd, Tian Yishu.
Në një intervistë dhënë për gazetën beogradase “Politika” ai ka thënë Serbia mund të vazhdojë të llogarisë në “pozicionin e qartë dhe konsistent të Kinës” rreth Kosovës.
“Kur është fjala për çështjen e Kosovës, ne respektojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë. Ne kuptojmë shqetësimet e justifikuara të Serbisë rreth shqetësimeve për Kosovën, përfshirë edhe sigurinë, të drejtat legjitime dhe interesat e serbëve të Kosovës. Respektojmë Serbinë për përpjekjet e saj për të gjetur zgjidhje politike”, ka thënë Yishu për gazetën serbe.
“Mbështesim të dyja palët që të punojnë së bashku për të gjetur një zgjidhje bashkërisht të pranueshme përmes dialogimit origjinal dhe konsultimeve brenda kornizës së Rezolutës 12/44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kina dëshiron të inkurajojë në ndihmën e BE-së, të respektohet dhe zbatohen ato që janë arritur”, ka vazhduar mes tjerash ai.
Madje, mes tjerash ai i ka quajtur “sanksione të njëanshme” masat e ndërmarra nga ShBA, MB dhe disa vende evropiane ndaj anëtarit serb të Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik.
“Kina do të vazhdojë të bëjë më të mirën për të ndihmuar Bosnje-Hercegovinën të arrijë paq afatgjate, stabilitet dhe zhvillim”, ka thënë mes tjerash ai