Deputeti i PD-së, Gazmend Bardhi ka reaguar pas arrestimit të Agim Kajmakut me kokainë në Itali.
Në një status në Facebook, Bardhi u shpreh se fajtor për këtë gjë është vetë Edi Rama, i cili kur të gjithë e denoncuan Kajmakun, ai e mbrojti dhe akuzoi denoncuesit.
“Edi Rama është përgjegjës për kriminalizimin e qeverisjes qëndrore dhe lokale. Ai nuk mund të fshihet dhe nuk mund ti ikë përgjegjësisë së tij.
Edi Rama e emëroi Agim Kajmakun kryetar të bashkisë së Vorës dhe ai do të ishte sot në detyrë nëse PD nuk do kishte denoncuar të shkuarën e tij kriminale. Asokohe Edi Rama dhe Belinda Balluku, në vend të ndjesës ndaj qytetarëve, zgjodhën baltën ndaj denoncuesve.
Që nga muaji Tetor 2021 Edi Rama ka bllokuar iniciativën e PD për vettingun e politikës. Sot më shumë se kurrë ajo iniciativë duhet të ecë përpara, duke garantuar jo vetëm largimin e të inkriminuarve nga qeverisja, por edhe shkëputjen e lidhjeve mes krimit dhe politikës,” ka shkruar Bardhi.