Ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku është arrestuar nga policia italiane në kuadër të luftës kundër kanabisit.
Kajmaku është vëzhguar dhe ndjekur për 60 ditë nga autoritet italiane. Për ndjekjen e tij ishin monitoruar kamerat e disa akseve, banesave dhe lagjeve ku kryheshin bisedat dhe takimet që kishin tematikë aktivitetin e paligjshëm të lëndëve narkotike në shtetin fqinj dhe Europë.
Ai është arrestuar në 27 maji dhe u kap me 20 kg drogë
Agim Kajmaku u shkarkua nga detyra e kryebashkiakut të Vorës që mori në 30 qershor 2019, pasi nuk deklaroi një procedim penal në Greqi. Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën arrest me burg për Kajmakun pasi akuzohej për falsifikim të vulave dhe dokumenteve, si dhe për kryerjen e funksionit pasi i kishte përfunduar mandati. 49-vjeçari fitoi zgjedhjet vendore në Vorë, pasi ishte kandidat i vetëm i Partisë Socialiste. Dy javë pasi ishte betuar si kryebashkiak, Partia Demokratike denoncoi Agim Kajmakun se kishte mashtruar me formularin e Dekriminalizimit, duke fshehur identitetin Jorgo Toto, me të cilin ishte ndjekur penalisht në Greqi. Pasi u provuan akuzat, KQZ i hoqi mandatin Kajmakut, por 49-vjeçari pikërisht në atë ditë shkarkoi dy nënkryetarët e bashkisë, që u cilësua si i paligjshëm nga gjykata.