Qeveria ka bërë gati projektligjin që sanksionon që të gjitha bizneset që nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve do të gjobiten me 200% të vlerës së detyrimit dhe të kontributit të papaguar.
Bizneset e tjera që nuk janë pjesë e TVSH-së dhe Tatimit mbi Fitimin nëse nuk deklarojnë punonjësit, do gjobiten në masën 100% të detyrimit.
“Projektligji vetëm për subjektet e regjistruara me përgjegjësi tatimore të TVSH-së dhe Tatim Fitimit për këtë shkelje parashikon një rritje të masës së gjobës nga 100 në 200 përqind të detyrimit dhe kontributit të llogaritur.
Propozimi i këtij akti vjen si pasojë e vlerësimit të shmangies nga pagimi i detyrimeve tatimore te pagës dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e përqendruar në kategorinë e subjekteve të regjistruara me përgjegjësi tatimore të TVSH dhe tatim fitimit”, thuhet në relacion.
Në ndryshimet që po ndërmerr qeveria për të ulur informalitetin në punë ka futur edhe një pikë që mbron punonjësit që denoncojnë pronarin që nuk zbaton kontratën e punës.
“Shteti shqiptar duhet të sigurojë mbrojtje të veçantë, përfshirë dëmshpërblim financiar për punëmarrësit që denoncojnë punëdhënësit për paga fiktive dhe duhet të ashpërsojnë masat për punëdhënësit abuzues” thuhet në relacion.
Nisma e qeverisë që u njoftua që në fund të vitit të kaluar pas daljes së databaze me pagat e punonjësve në shtet dhe privat është konkretizuar dhe pas konsultimeve në komisionet parlamentare do të futet për votim në Kuvend.
Nëpërmjet ashpërsimit të gjobave qeveria ka objektiv të ndikojë në reduktimin e këtyre shkeljeve, mbrojtjen e individëve të punësuar si dhe pasqyrimin real në skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.