Prej së hënës dhe deri të premten avokatët janë në grevë duke bojkotuar seancat për shkak të hartës së re gjyqësore që miratoi KLGJ dhe që qeveria pritet që t’i japë firmën e fundit. Thelbi i kësaj harte të re është shkrirja e shumë gjykatave të shkallës së parë dhe Apelit në vend.
Por përse po ndodh kjo? Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami tha se kemi të bëjmë vetëm riorganizim dhe jo ulje të numrit të gjyqtarëve dhe debati i vetëm që ka qenë te grupi i punës, sipas saj ka qenë vetëm për gjykatën e Apelit që të jetë një e vetme në Tiranë.
“Ne me hartën e re nuk po ndryshojmë numrin e gjyqtarëve, por po bëjmë një riorganizim. Procesi ka 3 vite që ka nisur. Procesi ka evoluar, nuk e kemi bërë për 2 muaj, janë marrë në analizë shumë indikatorë. Ngarkesa është analizuar, por edhe kuptimi cilësor.
Debati ka qenë te përqendrimi vetëm te një gjykatë Apeli. Por apeli nuk është shkallë e parë, por rishikim dhe për këtë grupi i punës ka bërë një analizë. Harta e re është bërë për shkak të çështjeve, eficencës” tha ajo.
Një tjetër problem është mungesa e gjyqtarëve, ndikuar për shkak të vettingut, por jo vetëm. “Nuk kemi prurje, nuk aplikojnë gjyqtarët për në Apel, pasi gjyqtarët nuk marrin riskun e përfshirjes në procedurë të rritjes në detyrë për shkak se bazohet te vettingu dhe e dyta nuk kanë interes, pasi duan të aplikojnë një gjykatë më të mirë si e Tiranës dhe jo në rrethe” tha ajo. Stoku në Gjykatën e Lartë ka shkuar në “35822 dosje” tha ajo.