Një sasi prej 45.5 kg kokainë që vinte nga Brazili është sekuestruar të mërkurën në Portin e Durrësit.
Sipas policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Tranziti” u kap sasi e lëndës narkotike, e cila ishte e ndarë në 40 pako.
Droga ishte e ambalazhuar me fotot e personazhit të filmave vizatimor “Goku” dhe atë të Budës, ndërsa u kap në një kontejner me mish pule që vinte nga Brazili.
Policia sqaron se kontejneri ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut.
Deklarata e policisë
Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kriminale e DVP Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të Portit, evidentojnë dhe godasin një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike.
Finalizohet një tjetër operacion policor antidrogë, i koduar “Tranziti”.
Operacioni, nga Task Forca permanente e përbërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të Portit.
Sekuestrohen 45 kilogramë e 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësit, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë dhe informacioneve që dispononte Policia Kriminale e DVP Durrës, është ushtruar kontroll i detajuar në një kontenier të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut.
Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në të.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.