Kryeministri Edi Rama së bashku me homologun e Malit të Zi, Dritan Abazoviç mbërritën mëngjesin e sotëm në Ukrainë pas 12 orëve udhëtim me tren nga Polonia.
Dy kryeministrat bashkë me delegacionet u pritën nën masa të rrepta sigurie, teksa Edi Ramën e shoqëronte edhe RENEA.
Paradite dy kryeministrat u drejtuan për të parë nga afër bombardimet dhe krimet e luftës nga Rusia në Borodyanka dhe Irpin.
Në vijim, Kryeministri Rama dhe homologu i tij i Malit të Zi do të priten në takim nga Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, takim që do të pasohet nga Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama, Kryeministrit Abazoviç dhe Presidentit Zelensky.
Kryeministri Rama do të takojë gjatë ditës Kryeministrin e Republikës së Ukrainës Denys Shmyhal dhe më pas Kryetarin e Bashkisë së Kievit Vitali Klitschko.