Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku i ka përplasur sot në “fytyrë” Edi Ramës arrestimin e ish-kryetarit të bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku me 20 kg kokainë në Itali. “Unë e kisha në Vorë Kajmakun në 6 mars dhe cfarë mund të bëja unë?
Edhe në zgjedhjet pa kundërshtar, po Kajmakun kisha unë, që nuk verifikohet dot as për një gjobë. Kjo është farsa më e madhe e kësaj qeverie.
Sot opozita nuk është e fortë dhe ne nuk krenohemi që nuk jemi në një situatë të mirë, por të isha në vendin tënd nuk do ta kisha përdorur dobësinë e tjetrit për të bërë dobësinë e ditës, që duhet ta bësh me vendimet e tyre, me Kajmakët, gjizën dhe gjalpin e radhës” tha Tabaku.
Kryeministri Edi Rama mori fjalën dhe i kujtoi PD-së dhe Jorida Tabakut, që Sali Berisha është non grata nga SHBA për korrupsion madhor.
“Dy fjalë kisha për këtë, zonja Tabaku fole për një linjë anti-korrupsioni, ajo ka qenë linja “alo doktor”, nuk ka qenë e jona.
“Alo doktor, këtu ka korrupsion” dhe nga ana tjetër prezumohej se dilte doktori dhe i thyente brinjët korrupsionit që të jemi të qartë. Ndërkohë që nuk ka problem.
Nëse sot ka ish-ministra, deputetë, apo kryetar bashkie të lidhur me partinë në pushtet që janë në duart e drejtësisë, kjo nuk është një diçka që ka ardhur nga qielli, por një zhvillim që ka ardhur nga reforma në drejtësi.
Rezultat i kërkuar prej nesh dhe jo prej jush. Unë do ju kërkoja që të mos harroni, që flamuri juaj, i udhëheqjes, i partisë dhe qeverisë suaj, të lëvizjes suaj demokratike e keni të arkivuar me një vulë sipër, non grata për korrupsion.
Duhet ta qepni gojën në raport me të tjerët dhe të çliroheni nga hijet e së shkuarës” tha ai.