Bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore, Enkelejd Alibeaj tha se të gjithë organizmat ndërkombëtare do të jenë të ftuara të marrin pjesë me ekspertizën e tyre në ndryshimet e Kodit Zgjedhor.
“Kam kërkuar që përveçse dërgimit të një kërkese zyrtare OSBE-së, do t ia dërgojmë të njëjtën kërkesë edhe Këshillit të Evropës, Komisionit të Venecias, përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së që kanë të drejtën të sjellin përfaqësuesit e tyre dhe të marrin pjesë me ekspertizë. Edhe organizata vendase me traditë në ndjekjen e procedurave zgjedhore që kanë përvojë, janë të ftuar që të marrin pjesë në mbledhjet e komisionit të reformës zgjedhore”, u shpreh Alibeaj.
Ai kërkoi që ekspertët që do të ndihmojnë Komisionin duhet të jenë 6 nga 4 që janë më parë.
“Sa i takon përcaktimit të numrit të ekspertëve, tradita ka qenë me 4 ekspertë, dy nga njëra anë, dy nga ana tjetër. Unë kërkoj të bëhen 6 ekspertë për të akomoduar edhe nevojat e ekspertizës teknike të përfaqësuesve të pjesës sonë, por edhe në funksion të një analize teknike të të gjitha nevojave që ky komision do të duhet të trajtojë”, theksoi më tej bashkëkryetari demokrat i komisionit”.