Nga Dylber Balla
Bashkia e Korfuzit ka rikthyer pas 40 vitesh idenë e furnizimit me ujë nga Shqipëria. Sytë i ka drejtuar te Syri i Kaltër. Lajmi ka disa javë që qarkullon në ishullin e Korfuzit, por në Shqipëri “mbërriti” mbrëmjen e djeshme duke u përhapur me shpejtësi. Disa prej mediave greke kanë publikuar edhe detaje të një projekti që shkon gati 40 milionë euro.
Por a ka dijeni shteti shqiptar lidhur me riaktivizimin e këtij projekti të vjetër që nga koha e diktatorit Hoxha? Fillimisht, “5pyetjet.al” u drejtuan për te bashkia e Finiqit që ka juridiksionin mbi Syrin e Kaltër. Kristo Kiço, kryetar i bashkisë u shpreh i habitur duke theksuar se ishte informuar nga mediat.
“Nuk kam asnjë dijeni. Para një ore po shikoja telefonin dhe po lexoja reagimin e deputetes së PD-së dhe pashë diçka. Por nuk ka ndonjë gjë. Nuk më ka informuar askush as nga Korfuzi as nga qeveria shqiptare, nuk kam asnjë informacion.
Mbase është një dëshirë e kryetarit të bashkisë së Korfuzit. Nuk e di nëse është biseduar në nivel të lartë. Kjo si ide është dëgjuar para viteve 2000, ‘95 mbaj mend pastaj jo më. E kanë lënë në heshtje” tha ai.
Por cili do të ishte vendimi i tij, nëse i hapet rruga projektit? “Nuk është bashkia autoriteti që vendos. Kjo i tejkalon kompetencat e pushtetit lokal. Nuk besoj se duhet firma ime, ujerat janë pronë e shtetit, jo pushtetit vendor. Ajo do të vendoset nga specialistët nëse nuk krijon probleme. Duhet studiuar. Nuk e di cfarë të them” tha Kiço.
Më pas “5pyetjet.al” iu drejtua ministrisë së Mjedisit. Zëdhënësi Erjon Uka tha se nuk ka dijeni. “Aktualisht nuk kemi asnjë dijeni zyrtare, vetëm lajmet që kemi parë në media” tha ai. Lidhur me këtë ide të Korfuzit, “5pyetjet.al” kontaktoi edhe studiuesin dhe mbrojtësin e trashëgimisë kulturore Auron Tare, lidhur me efektet negative të këtij projekti nëse qeveria shqiptare jep “dritën jeshile”.
Ai tha se projekti është i vjetër dhe se nuk ka asgjë të keqe nëse në këmbim të marrëveshjes Shqipëria merr një investim, që së pari të furnizojë me ujë Sarandën dhe fshatrat që ende edhe sot nuk kanë 24 orë.
“Projekti për ta çuar ujin në Korfuz ka qenë që në kohën e Enverit. Ka pasur bisedime mes palës greke dhe qeverisë shqiptare, sepse Korfuzi nuk ka ujë. I binte më kollaj ta sillnin nga Syri i Kaltër. Bisedimet kanë qenë në vitet ’80.
Unë nuk e shoh ndonjë problem nëse Shqipëria negocion një marrëveshje në dobi të zonës, që Saranda të ketë 24 orë ujë, që sot nuk ka. Uji Syrit të Kaltër derdhet në det, nuk është se do të shkojë ta marrë tubi në park, mund ta marrë edhe jashtë.
Nuk është ndonjë problem. Nuk dëmton, sepse uji derdhet në det. Por këto janë çështje teknike. E rëndësishme është koncepti, duhet lejuar apo jo? Unë jam për “OK”.
Ka 40 vite që është diskutuar me Korfuzin. Nuk ka asgjë të keqe, nëse Shqipëria arrin të marrë një marrëveshje në dobi të saj, që të marrë një investim shumë të rëndësishëm që e gjithë Saranda dhe fshatrat të marrin ujë dhe pastaj t’i kalojën ujin Korfuzit, t’ia shesin. Uji në det derdhet” tha ai.
Parku Natyror Syri i Kaltër është një pikë shumë piktoreske, prej ku nga Mali i Gjerë del një ujë i kristaltë. Është burimi më i madh dhe më interesant ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë Malit të Gjerë.
Është shpallur monument natyror. Forma e tij është ovale e ngjashme me formën e një syri, që shpërthen nga toka i errët në mes dhe i kaltër anash. Thellësia e tij është tepër e madhe, arrin deri në 45 metra dhe është i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim.