Bullgarisë i është sosur durimi nga gjuha e përdorur nga Edi Rama në muajt e fundit që kulmoi dje në Bruksel me një sulm total kundër Sofjes duke e akuzuar se ka marrë peng politikën e BE-së me vendimin për veton kundër Shkupit, që bllokoi edhe Tiranën.
Ministria e Jashtme bullgare e cilëson gjuhën e përdorur nga Edi Rama si të papranueshme dhe i kërkojnë që të përshtasë komunikimin, që sipas tyre duhet të jetë në nivelin e një lideri të një vendi kandidat për në BE.
“Bullgaria ka qenë gjithmonë ndër ato shtete anëtare të Bashkimit Evropian që mbështesin përkatësinë evropiane të popullit shqiptar.
Presim që kryeministri shqiptar t’i përshtatë mjetet e tij të të shprehurit me një gjuhë që i përshtatet një politikani të një vendi kandidat për anëtarësim në BE.
Në këtë nivel, më shumë se çdo tjetër, ne insistojmë të mbajmë një ton të mirë komunikimi. Në këtë nivel ne kemi treguar gjithmonë gjithë respektin që kërkon një pozicion të përgjegjshëm dhe nivel të marrëdhënieve ndërshtetërore.
Ne kemi një të ardhme të përbashkët me Shqipërinë. Politikanët largohen. Kombet mbeten. Popujt tanë kanë një interes të përbashkët, i cili nuk duhet të cenohet nga një gjykim i gabuar i politikanit.
Është e papranueshme që marrëdhëniet mes shteteve të bëhen peng i ekscentricitetit të kryeministrit aktual shqiptar” mbyllet deklarata.