Qeveria e Kosovës, ka publikuar Udhëzimin Administrativ të miratuar në mbledhjen e fundit për rregullimin e çmimit të naftës.
Sipas këtij udhëzimi administrativ, çmimi për marzhën tregtare maksimale për litër të produktit të naftës së shitur me shumicë është 2 cent, derisa për litër të produktit të shitur me pakicë është 12 centë.
Rregullimi i çmimeve dhe masat nga paragrafi 1 i këtij neni do të mbetet në fuqi tridhjetë ditë, përveç nëse shfuqizohen ose ndryshohen me vendim sipas nenit 7 të këtij udhëzimi administrativ.
Më 22 qershor, Qeveria e Kosovës kishte miratuar me unanimitet, udhëzimin administrativ për rregullimin e çmimeve për produktet e naftës dhe karburanteve të ripërtritshme dhe masat e tjera mbrojtëse, në Kosovë.
Por, kryetari i Shoqatës i së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, pati lajmëruar se shoqata akoma nuk e ka pranuar këtë vendim nga Qeveria.
“Ne ende nuk e kemi pranuar vendimin nga Qeveria. Si dhe ende nuk e kemi mbajtur takimin me përfaqësues të kompanive që tregtojnë me naftë në Kosovë”, kishte deklaruar ai për AP.
Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës në Kosovë ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit, sipas Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.
Për shkak të lëvizjes së shpeshtë të çmimeve, ka pasur dyshime se naftëtarët po i kurdisin çmimet.