Ish-ministri Edmond Panariti, aktualisht shef kabineti i Presidentit Ilir Meta kundërshton draftin e amnistisë fiskale të hedhur nga qeveria për diskutim. Ai thotë se përmes këtij ligji qeveria do të legalizojë paratë e krimit dhe drogës, por edhe evazionin fiskal.
“Çfarë kuptoj deri tani nga projekt ligji i amnistisë fiskale? Kuptoj që po pate 2 milion euro, para të paligjshme, ke rastin për ti bërë të ligjshme duke i deklaruar, pa sqaruar fare origjinën e tyre, përkundrejt taksimit.
Kuptoj, që e zeza, bëhet e bardhë me ligj, po me anë të parave.
Kuptoj që e gjithë historia për detyrimin e deklarimit të origjinës së pasurisë, thelbi i së cilës ishte dhe mbetet parandalimi i shpëlarjes dhe ndalimi i zbardhjes së parasë së pistë të drogës, trafiqeve etj, shndërrohet në një farsë.
Kuptoj që detyrohet sistemin bankar, të shkelë mbi praktikat dhe procedurat ligjore të kontrollit të origjinës dhe parandalimit të transaksioneve të dyshimta, për të kulluar tashmë me ligj ujërat e zeza të parave të trafiqeve. Pra dhe i ndalon dhe i lejon, njëkohësisht?!
Kuptoj se si ndihet qytetari i thjeshtë dhe biznesi i ndershëm, pagues i taksave dhe i tatimeve. Kuptoj që nuk paskemi kuptuar asgjë fare” shkruan ai.