DEA amerikane do të hapë së shpejti zyrën e kontaktit në Tiranë. Ky vendim i DEA-s për të zbarkuar në Tiranë, vjen në një kohë ku organizatat kriminale shqiptare kanë marrë një rol kyç në trafikun e kokainës nga vendet e origjinës të Amerikës Latine drejt Evropës. Fokusi do të jetë trafiku i kokainës, por edhe lidhjet e kriminelëve që shkojnë deri në nivele të larta.
Por cfarë është DEA?
DEA është një agjenci federale e zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara nën Departamentin e Drejtësisë të SHBA, e ngarkuar me luftën kundër trafikut dhe shpërndarjes së drogës.
DEA ka përgjegjësinë e vetme për koordinimin dhe ndjekjen e hetimeve të drogës në SHBA si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ajo u krijua më 1 korrik 1973 nga Presidenti Richard Nixon.
Ai propozoi krijimin e një agjencie të vetme federale për të zbatuar gjithashtu ligjet federale të drogës. Kongresi e pranoi propozimin.
DEA drejtohet nga një zyrtar i emëruar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe i konfirmuar nga Senati i SHBA. Ai i raporton Prokurorit të Përgjithshëm nëpërmjet Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm.
DEA ka 23 divizione në SHBA në terren me 222 zyra dhe 92 zyra të huaja në 70 vende. Me një buxhet që tejkalon 3 miliardë dollarë, DEA ka të punësuar 10,169 njerëz, duke përfshirë 4,924 agjentë specialë dhe 800 analistë të inteligjencës.