“Nuk ka gjykatës që mund të rrëzojnë kuvendin e 11 dhjetorit të PD. Është kuvendi më i mirë i dokumentuar në historinë e forcave politike në Shqipëri”.
Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, teksa ishte i ftuar në “5 pyetjet nga Babaramo” kur komentoi vendimin që pritet të jepet nga gjykata për statutin e PD.
Ai shkoi edhe më tej teksa u shpreh se gjykata nuk mund të njohë kuvendin e Lulzim Bashës, i cili u mbajt më 18 dhjetor, pasi sipas Nokës, në atë Kuvend u futën emrat e 500 personave të vdekur.
“Nuk ka gjyqtarë me urdhër apo presion politik, që mundet të njohë të ashtuquajturin kuvend të 18 dhjetorit, ku rezultojnë emrat e 500 të vdekurve, 1200 kishin firmosur referendumin për shkarkimin e Bashës, ka rreth 1500 emra të paqenë. Gjykatë dhe gjyqtarë që mund ta njohë këtë si kuvend të ligjshëm nuk ka”, u shpreh Noka.