Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi është përplasur me deputetin e Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferaj në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, e kërkuar nga deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Diskutimet mes palëve janë bërë me tone të ashpra në kuadër të ndryshimeve të fundit të propozuara në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 13/2015, “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” si dhe me problematikën e krijuar si rezultat i zjarreve në ishullin e Sazanit.
Referuar rasteve të zjarreve, Peleshi iu tha deputeteve të opozitës se “nëse pretendoni që mos të ketë asnjë zjarr në Shqipëri nuk ka asgjë të keqe”.
Por kjo fjali e ministrit të Mbrojtjes u mor si ironike nga deputeti i PD, Ferdinand Xhaferaj, i cili i kërkoi Peleshit të jetë serioz.
“Ne nuk pretendojmë të kemi zjarre ne pretendojmë të kemi një helikopter këtu”, u shpreh me tej Xhaferaj.
Por, Peleshi u përgjigj duke thënë se nuk po bën aspak ironi, madje pranoi se po të ishte në opozitë do të gjente rastin ta përmendte situatën e zjarreve sa herë të kishte mundësi për të goditur palën kundërshtare.
“Ne kemi pasur një zjarr serioz në Sazan dhe Xhaferaj e bën sikur është bërë nami. Nëse është çështja pse kemi një zjarr në Sazan, ne do të kemi një verë të nxehtë përpara dhe do të kemi jo një por shumë zjarre. Unë do ngrija zërin sa herë të kishte një zjarr po të isha në opozitë”, theksoi ai.