Nga Dylber Balla
Mesditën e sotme për më shumë se dy orë, ish-kryetari i bashkisë së Dibrës, Muharrem Rama ishte në SPAK duke thënë dëshmi përpara prokurorëve.
Në media qarkulloi lajmi se bëhet fjalë për një tender për kanalet vaditëse që dha bashkia në kohën që drejtohej nga zoti Rama, 2016-19.
Por si qëndron e vërteta? Në momentin që u fut brenda, jashtë kamerave, Rama bëri një batutë duke thënë se “kam ardhur për të takuar një shok“.
“5pyetjet.al” kontaktoi ish-kryetarin e bashkisë së Dibrës, që tashmë është mjek në spitalin e Traumës në Tiranë, pasi doli nga SPAK-u.
“Po, isha në SPAK. Nuk bëhet fjalë për tender për kanal vaditës” tha ai për “5pyetjet.al” duke mos pranuar që të japë më shumë shpjegime.
Misteri vazhdon edhe nga vetë SPAK-u që nuk ka dhënë informacion se përse u thirr Muharrem Rama sot, si person nën hetim apo që ka dijeni për rrethanat e dosjes?
Rama u zgjodh në krye të bashkisë së Dibrës në shtator të vitit 2016, pasi fitoi përballë Sherefedin Shehut.
Ai zëvendësoi në këtë post, Shukri Xhelilin, i cili u shkarkua pas publikimit të një videoskandali ku i kërkonte favore seksuale një vartëseje të tij në bashki, në këmbim të një vendi më të mirë pune.
Por në zgjedhjet lokale të vitit 2019, Partia Socialiste nuk e rikandidoi duke garuar në Dibër me Dionis Imerajn, i cili mori detyrën si kryebashkiak me 6 Gusht të vitit 2019.
Por edhe ky, si dy paraardhësit e tij, Shukri Xhelili dhe Rama nuk e mbylli mandatin e plotë pasi dha dorëheqjen për t’u bërë pjesë e garës parlamentare të 25 Prillit, ku nuk fitoi.