Ekzekutimi i Pjerin Xhuvanit 4 ditë përpara zgjedhjeve të 25 Prillit 2021 është rikthyer sërish në skenë pas arrestimeve pak ditë më parë në Elbasan. Për këtë ngjarje, Sali Berisha akuzon zinxhirin komandues në drejtësi, kryeministrin, por edhe Gazment Bardhin.
“Në ngjarjen e Elbasanit është i implikuar Edi Rama, Bledi Çuçi, drejtori i policisë Ardi Veliu, dy zv/ drejtorët dhe nëse drejtori i policisë së Elbasanit ka qenë në detyrë, edhe ai, prokurorë të Elbasanit dhe pa asnjë dyshim në rrafshin politik, njeriu më përgjegjës është Taulant Balla dhe përgjegjësi ka për ngjarjen, jashtë cdo dyshimi ka Gazment Bardhi” tha ai.
Por cili është roli i Gazment Bardhit, sipas Berishës, që vazhdon të akuzojë sekretarin e përgjithshëm të PD-së? Ai tha se Arbër Paplekaj qëlloi për vetëmbrojtje dhe se Bardhi u zhduk duke e braktisur.
“Nëse Paplekaj do të qëllonte duke ekzagjeruar rrezikun nuk ishte vetëmbrojtje. Gaz Bardhi u zhduk dhe komisionin hetimor parlamentar e mbyllën me Taulant Ballën. Ky është komisioni që nuk funksionoi asnjë ditë. Ka protestuar për mbylljen e komisionit? Kur e merr tjetrin, e ke në ekip, dhe ndodh kjo, do të nxjerrësh përgjegjësinë tënde dhe jo ta braktisësh, sikur bënë këta me Arbër Paplekajn.
E braktisën sepse donin të mbyllin krimin e mos veprimit nga policia dhe fshehjes, mashtrimit po kaq kriminal nga Veliu dhe Rama të krimit. Çfarë duhet të jetë ai që nuk ndjen përgjegjësi për këtë? Shumë shumë keq. Ai ishte me ty. Ai ishte në zyrat tuaja. E kishte marrë ti dhe tani, rri në fatin tënd, sepse bëre marrëveshje me Taulant Ballën.
E përgëzoj prokurorinë që e ka thirrur, por dënoj heshtjen që ka mbajtur ndaj Ardi Veliut, Alfred Shehut dhe Taulant Ballës. Alfred Shehu është një kriminal i bandës së Elbasanit. Ai nuk e ka vendin në SPAK” tha Berisha.