Ditën e hënë gazetarët do të protestojnë kundër sjelljes së kryeministrit Edi Rama për ndëshkimin e gazetarit, Klevin Muka që e përjashtoi tre muaj nga konferencat në selinë e qeverisë, pasi nuk i pëlqeu pyetja që i bëri.
Postimi i gazetarëve për protestën
PROTESTË/ RIEDUKIMI SOT, INTERNIMI DJE
Më shumë e rrezikshme sesa censura është autocensura që po prodhojnë veprimet e Kryeministrit për të riedukuar gazetarët, për shkak se ata bëjnë pyetje të vështira, të sikletshme dhe të padrejta. Kjo censurë, që më pas sjell autocensurën e gazetarit, bën që për tre muaj, gazetari të mos bëj asnjë pyetje drejt kreut të qeverisë. Ç’ndodh? Pas tre muajsh bllokadë, gazetari edhe nëse ka një pyetje të mirë, e të sikletshme për qeverinë se bën, me frikën e riedukimit – internimit të tij, për tre muaj të tjerë.
Prandaj duhet të kundërshtojmë fort të gjithë bashkë, këtë metodë komunistë të Ramës, bërë ndaj medias. Ndryshe ky standard, mund të aplikohet nga ministra, drejtora, deputetë etj, në momentin që u bëhet një pyetje e vështirë.
Për këtë arsye, ditën e hënë, 4 korrik, ora 19.00 protestojmë përpara Kryeministrisë, sepse RIEDUKIMI SOT, ËSHTË INTERNIMI DJE…
Kushdo mund të na bashkohet, kjo nuk është vetëm lufta jonë!