Plagosja e një polici në Skënderaj në mesnatë e ka çuar në Polici ish-nënkryetarin e kësaj komune, Nuredin Lushtakun.
Komandant i Gardës së Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) ishte puna e parë publike e Nuredin Lushtakut pas luftës. Për këtë punë ai nuk do të njihej shumë, deri në vitin 2006, kur vdiq presidenti Ibrahim Rugova.
Me vendim të Lushtakut, garda ceremoniale e TMK-së nuk u lejua të merrte pjesë në varrimin e Rugovës. Për këtë, ai nuk u bë pishman kurrë.
Probleme në Ministri e në Kuvend
Në vitin 2012, sa ishte zëvendësministër i Diasporës, Nuredin Lushtaku nuk i kishte kursyer as grushtet dhe shpullat në një përplasje për ta sqaruar një mosmarrëveshje me atëherë drejtorin e Departamentit për Politika të Diasporës në këtë dikaster, Mustafë Xhemajlin.
Lushtaku e kishte goditur Xhemajlin pasi ky i fundit kishte refuzuar ta punësonte një person të afërt të tij. Rasti nuk ishte raportuar në polici dhe gazeta raportonte se konflikti kishte nisur të zgjidhej sipas kanunit.
Si deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Lushtaku për pak sa nuk ishte protagonist i një sulmi të pa parë më herët në Kuvendin e Kosovës, në një seancë ku po diskutohej për vlerat e luftës.
Më 27 dhjetor të vitit 2016, Lushtaku i ishte sulur atëherë deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca duke bërtitur, teksa ky i fundit po e lexonte një letër të ish-kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku. Në atë letër, Sami Lushtaku akuzonte bashkëpartiakët e tij për dënimin që i ishte shqiptuar në procesin gjyqësor Drenica 1.
Nuredin Lushtaku kishte vendosur t’i përgjigjej fizikisht Glauk Konjufcës.
Kjo ishte një prej rasteve të rralla kur Nuredin Lushtaku po bëhej protagonist në një “diskutim parlamentar”./GazetaExpress