Në konferencën për mediat këtë të hënë, Monika Kryemadhi u pyet edhe nëse do të ketë një përballjes mes saj dhe Ilir Metës për drejtimin e LSI-së.
Kryemadhi u shpreh se mes tyre nuk ka garë, pas një marrëdhënie më shumë se 30-vjeçare. Kryemadhi përsëriti se gjithnjë e më shumë ndjehet fajtore për djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve.
“Marrëdhënie ime me Metën i ka kaluar 30 vite. Nuk është ndonjë garë e madhe mes nesh. Historia e LSI do të vazhdojë edhe pse unë ndjehem edhe më shumë fajtore për shkak të djegies së mandateve dhe mosmarrjes pjesë në zgjedhje, pasi kemi zbuluar këtë aferën e inceneratorëve duke kuptuar se këto kompani kanë qenë sponsorizuesit për rrëzimin e aksionit opozitar. Këto më bëjnë mua përgjegjëse për aq mundësi sa kam për ta çuar deri në fund këtë skemë”, tha Kryemadhi.
E pyetur nëse Meta do të kthehet në LSI pas mbarimit të mandatit të presidentit, pas 21 ditësh, Kryemadhi hezitoi të jepte një përgjigje. “Për këtë duhet të pyesni Ilir Metën”.