E ndërsa në publik vijon lufta politike dhe protestat, pas në skenë Sali Berisha dhe Edi Rama po përgatisin një tjetër pazar. Reforma Zgjedhore. Sali Berisha pranoi se partitë e opozitës po punojnë për një qëndrim të unifikuar për ndryshimin e sistemit zgjedhor në proporcional kombëtar me lista të hapura.
“Ne, po në zgjedhje, kemi ofruar listën e hapur proporcionale të pastër kombëtare me një prag të përcaktuar jo nga ne si PD, por parti tjetër. Në sistemin zgjedhor pra, me qëllimin më të mirë për një bashkim të opozitës, gjykoj se kemi bërë lëshimin maksimal dhe të drejtë” tha ai.
Drejtuesi i Forumit për Dialogun Politik, Ermal Hasimja zbuloi detajet e kornizës ku po negociohet. Ai rrëfeu se ndryshimi i sistemit zgjedhor në proporcional kombëtar, ku e gjithë Shqipëria do të konsiderohej si një zonë e vetme zgjedhore është mbi tryezë.
“Është rënë dakord nga opozita për të kërkuar një sistem zgjedhor në formën e proporcionalit kombëtar. Kam pasur një dakordësi të drejtpërdrejtë me zotin Berisha. Pra, e gjithë Shqipëria një zonë e vetme zgjedhore, për të hequr qafat e proporcionalit rajonal, që është një sistem skandaloz për Shqipërinë dhe ka prodhuar deformime të papranueshme. Kemi edhe dy parti të tjera opozitare që i kemi ftuar por nuk kanë reaguar”, tha Hasimja.
Pas këtyre dy deklaratave ka ardhur edhe qëndrimi i Partisë Socialiste. Bashkëkryetari socialist i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi se PS është e gatshme të ulet në negociata politike. Socialisti tha se kjo do të sjellë ndryshim të Kushtetutës dhe për këtë ofroi që të diskutohet si pazar ulja e numrit të deputetëve nga 140, në 101.
“Nëse ne do të shkojmë drejt ndryshimit të sistemit zgjedhor, do të duhet të prekim Kushtetutën, pasi aty është përcaktuar qartë edhe sistemi zgjedhor që kemi në fuqi. Në këto kushte, mendoj se është e udhës, siç edhe PS, meqë kjo është çështje vullneti dhe dëshire, pra s’ka një rekomandim, atëherë edhe PS ka pasur një propozim publik për rishikimin e numrit të deputetëve” tha ai. Pazari është hapur….









