Deputeti i PD-së, Ervin Salianji akuzoi ish-kryetarin e PD-së, Lulzim Basha se e vonoi denoncimin e dosjes “Babale”.
Ai tha sot jashtë gjykatës së Apelit, se ajo që duhej bërë më mirë për këtë dosje ishte denoncimi më herët sesa u bë dhe për këtë fajësoi Lulzim Bashën.
“Kjo ka qenë një betejë e opozitës, jo e imja personale. E vetmja gjë që duhej bërë më përpara, por nuk varej nga unë, do të duhej bërë më parë denoncimi i kësaj afere.
Për shkak të drejtimit të PD-së asokohe është bërë më pas. Por do të kem kohë ta sqaroj më pas këtë, gjatë në një moment tjetër” tha ai.
Të pranishëm në mbështetje të tij sot ishin një pjesë e deputetëve të grupit, por kur u pyet për këtë, Salianji sërish nuk kurseu sulmin për Bashën.
“Nuk kam bërë ftesa se nuk kam qenë në dasmë apo moment gëzimi, unë as nuk përjashtoj dhe as nuk ftoj njeri, secili e ndjen përgjegjësinë vet sesi pozicionohet.
Kanë qenë në shkallën e parë që të gjithë aty. Detyrimi është të mbaj përgjegjësi për pozicionin që mbaj sepse e kam besuar këtë cështje.
Nuk besoj se ka ndonjë ndryshim apo marrëveshje të tjera nga ish-drejtuesi i PD-së.
Por për rastin në fjalë dhe vonesat dhe gjithçka tjetër dhe nëse ka ndryshim qëndrimi duhet pyetur, unë do të flas me fakte dhe prova për cdo rast” tha ai.
Vendimi u shty në datë 18 korrik.