Nga Viktor Malaj
Ngjarja e ndodhur vjet në Elbasan, ku gjatë fushatës elektorale u vra një aktivist politik i pushtetit, kishte anën e saj tragjike por edhe domethënien e madhe social-politike. Pyetjet e para që lindin në këto raste janë: Pse ndodhi ngjarja? A mund të parandalohej ajo? Cilët janë përgjegjësit ligjorë dhe moralë të asaj që ndodhi? etj. Përveç autorit të vrasjes, një ish-polic që u prangos dhe dërgua në burg, para pak ditësh SPAK arrestoi edhe disa punonjës policie të ndodhur në vendngjarje. Midis të arrestuarve ishin edhe dy ish-nëndrejtorët e policisë së Elbasanit në kohën e ngjarjes, z. A. Nushi dhe N. Palla. Media njoftoi se kuadrot e policisë u arrestuan sepse akuzohen për shpërdorim detyre dhe kallëzim të rremë. Madje, media njoftoi se gjatë konfliktit të ndodhur midis dy grupe aktivistësh politikë, dikush prej tyre i ka vënë pistoletën tek koka zv.drejtorit të policisë dhe asnjë nga policët nuk ka ndërhyrë. Kjo do ishte shumë e rëndë, nëse është e vërtetë. Pyetjeve të sipërpërmendura tani iu shtohen edhe të tjera si: pse nuk ndërhynë punonjësit e policisë dhe, sidomos, drejtuesit e saj përpara dhe gjatë kohës që ndodhi konflikti? Çfarë i shtyu (detyroi) drejtuesit e policisë të bënin kallëzim të rremë? A mundet kjo lloj policie ta mbrojë popullin kur ajo nuk ka guxim të mbrojë as veten?!
Nëse ato që përcjell media si pretendime të SPAK-ut janë të vërteta, nuk ka dyshim se drejtuesit e policisë e meritojnë ndëshkimin ligjor, por çështja themelore është: A është kjo rruga e vetme apo kryesore për t’i vënë problemet e rendit në rrugën e drejtë dhe të duhur? Fatkeqësisht, mbas viteve ’90 një prej fenomeneve më negative dhe të dëmshme që zuri rrënjë në Shqipëri është aleanca e botës së krimit me politikën në përgjithësi dhe policinë në veçanti. Krimi dhe politika u bënë aleatë, ndihmës dhe mbrojtës të njëri-tjetrit. Babai i krijimit të këtij fenomeni mbetet Sali Berisha por, mbas tij dhe paralelisht me të, me krimin u lidhën edhe politikanë të të gjithë krahëve politikë. Është e dhimbshme, e turpshme, e dëmshme dhe e dënueshme që sot, ngado të shkosh, nga jugu në veri nëpër qendrat kryesore qytetare do të dëgjosh të thonë se ky apo ai kapobandë i përket PS së, PD-së apo LSI-së. Po kështu, nëse ke ndonjë nevojë për t’u zgjidhur shpejt nga institucione shtetërore, këshilla e parë që merr është kontaktimi i njerëzve të krimit dhe vënia e tyre në veprim si ndërmjetës që “të kryejnë punë”.
Këta njerëz të botës së krimit përdoren nga partitë politike nëpër fushata elektorale, si “propagandues”, votëmbledhës ose votëblerës, madje edhe si numërues apo vëzhgues nëpër qendrat e votimit. Nuk do shumë mend për të kuptuar se mbas përfundimit të fushatave elektorale këta “kontribues” kërkojnë shpërblimin i cili jepet në formën e lejeve të ndërtimit, në punësimin e miqve apo të afërmve të tyre në poste kyçe, në mbylljen e syve kundrejt shkeljes së ligjeve e rendit prej tyre etj.etj. Jo pak prej tyre janë njerëz që “të vrasin e s’të paguajnë”. Atëherë lind pyetja madhore: I kujt është realisht pushteti në Shqipëri dhe kujt i shërben ai? Çfarë është realisht e ashtuquajtura demokraci në Shqipëri, “sundim i popullit”, apo thjesht një e drejtë e popullit për të zgjedhur njërin prej aleatëve të shumtë të oligarkisë dhe botës së krimit?! Si mundet një sistem politik të quhet demokraci (sundim i popullit) kur drejtuesit e pushtetit qendror apo vendor bëhen aleatë, miq dhe avokatë të dhunuesve të popullit?!
Përrallat e përditshme të treguara me pasion nga politikanët e vendit dhe të përsëritura me mendjelehtësi, por edhe me djallëzi, nga njerëzit e medias rreth lirisë, demokracisë, barazisë etj. përgënjeshtrohen shpesh dhe bindshëm nga realiteti që jetojmë çdo ditë. Në çdo vend dhe në çdo kohë pushteti real iu përket atyre që ndihen më mirë dhe përfitojnë më shumë prej tij. Në një vend ku njerëzit e ligjit shohin përditë farkëtimin e miqësisë midis politikës dhe botës së krimit dhe populli bëhet dëshmitar i temenave që njerëzit e ligjit iu bëjnë njerëzve të krimit, në atë vend dhe në atë kohë as që mund të flitet për rend demokratik, për drejtësi dhe barazi shoqërore. Sikur policët dhe drejtuesit e tyre të mos kishin pasur parasysh këtë aleancë politikë- krim, nuk ka fare dyshim se do t’i kishin parandaluar ngjarjen e Elbasanit dhe dhjetëra të tjera para saj. Ndërkaq policët nuk do ia kishin lejuar vetes të binin aq poshtë sa të mos reagonin për mbrojtjen e vetes apo të kolegëve dhe eprorëve nga tetativat për poshtërim apo frikësim që bën bota e krimit kundrejt mbrojtësve të rendit. Në rastin konkret, aktivizimi i forcave paramilitare nga opozita për të “parandaluar blerjen e votave” ka qenë dhe mbetet një akt antikushtetues dhe i rrezikshëm. Nga ana tjetër, aktivizimi prej pushtetit i elementëve me të kaluar kriminale si veprimtarë të politikës në fushatën zgjedhore ka qenë dhe mbetet një veprim i papranueshëm moralisht, politikisht dhe ligjërisht. Drejtuesit e policisë dhe policët e Elbasanit janë ndodhur përpara kushteve të mbrojtjes së nevojshme dhe nevojës ekstreme dhe ligjërisht duhej të përdornin të gjitha mjetet në dispozicion, deri armët e zjarrit, për të neutralizuar, arrestuar dhe ndaluar elementë kriminalë të angazhuar në konfliktin e ndodhur.
Sikur këta drejtues policie të ishin të sigurt se sundimtarët e vendit dhe mëtonjësit për sundim do t’i kishin në krah të tyre, dhe se organet e drejtësisë do iu jepnin ndëshkimin e merituar ligjor autorëve dhe shkaktarëve të konfliktit, do t’i kishin kryer të gjitha detyrat dhe detyrimet e tyre ligjore atë ditë. Duke e ditur se bota e krimit gëzon simpatinë e ligjbërësve dhe gjykatësve, këta punonjës policie nuk kanë mbrojtur as veten dhe as popullin. Dhe kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen, për aq kohë sa njerëzit e politikës të mos preken shpirtërisht nga nëpërkëmbja e popullit, të mos respektojnë policinë si institucion dhe mjet i mbrojtjes së ligjit, rendit e popullit dhe të mos shkëpusin çfarëdo lidhjeje, të afërt apo të largët me dhunuesit e popullit.
Politika shqiptare ka shkuar shumë larg në mbrapshtitë dhe papërgjegjësitë e saj. Ata që janë në pushtet kanë përgjegjësi institucionale dhe morale për lejimin dhe mbajtjen gjallë të fenomenit të lartpërmendur, ndërsa ata që presin të vijnë në pushtet për të n-tën herë dhe që marrin në mbro jtje vrasësin e Elbasanit, (siç bëri Mr. NonGrata para tri ditësh), siç kanë bërë me të gjithë ata që kanë vrarë në emër dhe për llogari të tyre, duhet të mbajnë përgjegjësi historike, politike dhe ligjore për çfarë ka ndodhur. Nëse politika shqiptare vazhdon me kokëfortësi dhe papërgjegjshmëri në rrugën e theqafjes, atëherë popullit shqiptar do t’i mbetet ose ta braktisë tërësisht e përfundimisht vendin e vet, ose të thërrasë në ndihmë ndonjë revolucion “jakobin” me bekimin e “pastorëve” politikë të Perëndimit, të cilët prej mbi tri dekadash luajnë rolin e dyfishtë, atë të predikimit teorik të parimeve të shtetit demokratik dhe atë të aleatit dhe avokatit të shkelësve praktikë të këtyre parimeve./ Botuar në DITA