Banka e Shqipërisë vendosi rritjen e normës së interesit me 0.5% dhe paralajmëroi se ekonomia do të përballet me sfida serioze duke filluar nga rritja e çmimeve që do të vazhdojë. Guvernatori Gent Sejko deklaroi sot se që të bëhet dhe që të jenë funksionale amnistia fiskale, duhet që paralelisht të shtrëngohen rregullat fiskale për ta bërë eficente. Ai listoi disa detyra që duhet të bëjë qeveria.
“Amnistia fiskale, komentet tona i kemi paraqitur edhe në kuvend, ne e shohim me kosto dhe benefite. Injektim i lukujditetit, përmirësimi i të ardhurave në buxhet, por kryesorja që shohim është formalizimi i ekonomisë.
Në këtë drejtim, të formalizimit natyrisht që do të japë një impakt pozitiv, por ka edhe kosto që lidhen me shmangien e parave të krimit dhe korrupsionit. Duhet t’i shmangë. Duhet të jetë e mirë-menduar, të bëhet një herë dhe të jetë funksionale dhe të krijojë premisat e formalizimit të ekonomisë.
Duhet të rriten dhe shtrëngohen rregullat fiskale. Nëse amnistia do të kryhej pa këto masa nuk do të ishte eficente. Ky është opinioni parimor. Ne jemi duke e studiuar projektligjin” tha ai.
Zhvlerësimin e euros dhe forcimin e lekut e lidhi kryesisht me turizmin. “Kursi i këmbimit ka një forcim që lidhet me faktorë sezonal, ndikohet nga turizmi, ka hyrje të vizitorëve, shifra jashtëzakonisht të larta krahasuar me vitin e kaluar.
Prandaj leku është i fortë. Por faktor tjetër është edhe bilanci tregtar, deficiti ka ardhur në ngushtim me 15%, kemi një rritje me 60% të mallrave dhe shërbimeve. Këto flukse hyrëse kanë forcuar lekun”.
Ashtu si më parë, edhe sot Sejko u shpreh se çmimet do të vazhdojnë të rriten dhe kulmi do të jetë tremujori i tretë i vitit. “Shifrat janë surprizuese në këtë periudhë. Inflacioni do të godasë të gjithë zinxhirët, por sa dhe si kjo pritet për t’u parë” tha ai.
Fjala e plotë:
Inflacioni shënoi rritje në muajt prill e maj, duke regjistruar respektivisht vlerat 6.2% dhe 6.7%. Këto nivele ishin në kahun e sipërm të pritjeve tona. Baza e presioneve inflacioniste ka ardhur në zgjerim. Ndonëse dinamika e inflacionit në këta dy muaj pasqyroi kryesisht rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të lëndëve energjetike, kjo rritje është e pranishme në pjesën më të madhe të artikujve të shportës.
Në këndvështrimin makroekonomik, presionet inflacioniste vijojnë të ushqehen nga normat e larta të inflacionit në tregjet botërore, të cilat janë në nivelet më të larta të katër dekadave të fundit, si dhe nga kërkesa e qëndrueshme për mallra e shërbime në vend.
Sipas të dhënave të Instat-it, prodhimi i brendshëm bruto u rrit me pothuaj 6% në tremujorin e parë të vitit. Ky ritëm rritjeje ishte – gjithashtu – në kahun e sipërm të pritjeve tona. Rritja ekonomike u diktua nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve private, si dhe nga rritja e eksporteve të mallrave e shërbimeve. Nga ana tjetër, rënia e investimeve publike dhe rritja e importeve kanë vepruar në kahun e kundërt.
Zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime u pasqyrua në rritje të mëtejshme të punësimit e të pagave në tremujorin e parë, duke ofruar një faktor shtesë në rritjen e inflacionit. Sipas të dhënave zyrtare, papunësia në vend zbriti në nivelin 11.3% në tremujorin e parë, ndërsa ritmi i rritjes së pagave në sektorin privat shënoi vlerën 10.5%. Megjithëse rritja e pagave u ndikua edhe nga masat e marra për formalizimin e tregut të punës, ajo sugjeron se mungesa e fuqisë punëtore po ushtron presione për rritjen e kostove të prodhimit në vend.
Duke ju rikthyer kontekstit makroekonomik, rritja e tremujorit të parë pasqyroi bilancet e shëndosha financiare të sektorit privat, si dhe kushtet e favorshme të financimit.
Zhvillimet financiare në vend vijojnë të karakterizohen nga prime të kontrolluara rreziku, likuiditet i bollshëm, kurs i qëndrueshëm këmbimi dhe kredi në rritje. Stimuli ynë monetar është përcjellë në norma të ulëta interesi për financimin e sektorit privat. Paralelisht me të, rritja e kërkesës për kredi dhe bilancet e shëndetshme të sektorit bankar, janë përkthyer në rritje të qëndrueshme të kreditimit. Rritja vjetore e kredisë për sektorin privat është forcuar më tej, duke shënuar vlerën 13.8% në muajin maj. Kjo rritje ishte e pranishme si në segmentin e bizneseve dhe në atë të individëve, duke i shërbyer si financimit të konsumit dhe investimeve ashtu dhe nevojave për kapital qarkullues.
Ecuria e ekonomisë në periudhën vijuese mbetet subjekt i sfidave serioze. Rritja e çmimeve në tregjet botërore, shtrëngimi i kushteve financiare dhe ngadalësimi i pritur i ekonomisë në Eurozonë, si dhe frenimi i fuqisë blerëse të familjeve, do të kenë një ndikim me kah të kundërt mbi ecurinë e inflacionit dhe të rritjes ekonomike në vend.
Megjithatë, përditësimi i parashikimeve tona sipas skenarit bazë sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të shënojë rritje solide në horizontin afatmesëm. Ritmi i rritjes ekonomike do të vijë në ngadalësim kundrejt atij të shënuar në tremujorin e parë të vitit, por ai do të jetë i mjaftueshëm për të ruajtur shëndetin e bilanceve të familjeve dhe bizneseve shqiptare.
Nga ana tjetër, inflacioni do të vijojë të mbetet i lartë në tremujorët në vijim. Projeksionet e skenarit bazë sugjerojnë se norma e inflacionit do të kulmojë jo shumë larg nivelit aktual në tremujorin e tretë të vitit aktual dhe do të vijë në rënie graduale gjatë tremujorëve në vijim. Kjo trajektore pritet ta sjellë inflacionin në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.
Projeksionet e skenarit bazë parashikojnë një normalizim gradual të politikës monetare në periudhën në vijim. Shpejtësia e normalizimit do të synojë një harmonizim sa më të mirë të intensitetit të stimulit monetar me intensitetin e presioneve afatmesme inflacioniste.
Balanca e rreziqeve mbi inflacionin vijon të mbetet në kahun e sipërm. Në veçanti, goditjet e forta shtesë të ofertës apo shfaqja e efekteve zinxhir të raundit të dytë, do të forconin më tej presionet inflacioniste. Në të kundërt, një ecuri më negative ekonomike e partnerëve tanë tregtarë apo një zgjidhje e shpejtë e konfliktit në Ukrainë do të reduktonte presionet inflacioniste.
Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se nivelet e larta të e presioneve inflacioniste janë rreziku primar mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.
Për këtë arsye, në respektim të objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:
tTë rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, nga niveli 1.0% në nivelin 1.25%;
të rrisë me 0.35 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 1.9% në nivelin 2.25%; si dhe
të rrisë me 0.15 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 0.1% në nivelin 0.25%.
Në gjykimin e Këshillit, normalizimi i politikës monetare do të krijojë kushte më të përshtatshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda horizontit afatmesëm. Në të njëjtën kohë, ky normalizim nuk do të cenojë premisat e rritjes ekonomike në këtë horizont.
Po ashtu, Këshilli Mbikëqyrës thekson se materializimi i projeksioneve të skenarit bazë do të kërkojë vijimin e ciklit normalizues të politikës monetare edhe në tremujorët në vazhdim.
Në këtë skenar, shpejtësia e normalizimit do të jetë graduale, por në çdo rast e mjaftueshme për të respektuar objektivin tonë afatmesëm të inflacionit.
Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes dinamikën e presioneve inflacioniste në periudhën në vijim. Ai mbetet i gatshëm të ndërhyjë, në kohën dhe me forcën e duhur, për të garantuar stabilitetin e çmimeve në vend.