Tre nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, Edi Rama, Vuçiç dhe Kovaçevski kanë zhvilluar ditën e sotme një bisedë online për dy çështje kryesore; krizën dhe investimet. Kreu i qeverisë së Maqedonisë shkruan se u bisedua për vështirësitë e furnizimit me ushqim dhe energji dhe investimet e reja.
“Bashkëpunimi ynë përmes Ballkanit të Hapur është konkret, për një rajon të fortë ekonomik, gati për anëtarësim në BE. Nëpërmjet grupeve të përbashkëta të punës, ne së bashku do të kapërcejmë vështirësitë e furnizimit me ushqim dhe energji dhe zjarret e mundshme në të tre vendet këtë verë.
Sot në mëngjes me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama biseduam edhe për krijimin e një agjencie të përbashkët për tërheqjen e investimeve të huaja në Ballkanin e Hapur”, shkruan Kovaçevski. Nga pala shqiptare ende nuk ka asnjë reagim.